Lajme
Ministrja Gërvalla ia huq sërish, kësaj radhe dëshmon mungesë të njohjes së ligjeve
Demokracia
15:45 | 06 Maj 2023

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ia ka huq sërish.

Duke u munduar të inkurajoi të interesuarit për të aplikuar në konkursin e MPJD-së për diplomatë të rinj, ajo ka treguar se nuk i njeh ligjet që i rregullojnë procedurat e aplikimit nëpër konkurse.

Në statusin e saj në “Facebook”, jo ka shkruar se sot(6 maj, e shtunë) është dita e fundit për të aplikuar në këtë konkurs.

“Apliko sot në konkursin për diplomatë të rinj. Edhe pak më shumë se 12 orë kanë mbetur për të aplikuar në konkursin e hapur për 30 diplomatë të rinj”, ka shkruar Gërvalla.

Mirëpo, kryediplomatja e Kosovës, e cila njihet për huqje të shpeshta në rrjete sociale, nuk është në dijeni për përmbajtjen e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Neni 81 i këtij ligji tregon për rregullat e llogaritjes së afateve të procedurave.

Në paragrafin 4 të këtij neni thuhet se kur dita e fundit e një afati bie të shtunën, të dielën apo një ditë feste zyrtare, afati mbaron në ditën e punës që vjen menjëherë pas saj.

Pra, ky nen tregon në mënyrë të qartë se afati i fundit për të aplikuar në këtë konkurs nuk është e shtuna e sotme, por e hëna që javës që vjen.
“Të shtunat, të dielat dhe ditët e festave zyrtare nuk do të pengojnë fillimin dhe ecjen e afateve. Kur dita e fundit e një afati bie të shtunën, të dielën apo një ditë feste zyrtare, afati mbaron në ditën e punës që vjen menjëherë pas saj”, thuhet në paragrafin 4 të neni 81 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Çka tha tjetër Gërvalla?

Në statusin e saj, kryediplomatja e Kosovës mundohet të arsyetohet për vonesat e shpalljes së këtij konkursi.

Ajo deklaron se ky konkurs është hapur pas shumë sfidash e barrierash të panevojshme.

“Më në fund, pas shumë sfidash dhe barrierash të panevojshme, kemi arritur të hapim dyert e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe të diplomacisë për profesionistë të të gjitha moshave, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës. Reformat e thella, të finalizuara tashmë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mundësojnë shtimin e dukshëm të numrit të diplomatëve të rinj dhe garantojnë një ambient pune të shëndoshë dhe të përqëndruar në rritje të cilësisë dhe profesionalizim të përfaqësimit të Republikës së Kosovës jashtë vendit dhe shërbimeve konsullore për qytetarët jashtë vendit”, ka shkruar ajo.

Ajo ka vlerësuar se procesi do të jetë rigoroz dhe transparent.

“Ju ftoj të aplikoni sot, duke ju siguruar që procesi do të jetë rigoroz, ndoshta i vështirë dhe kërkesat e larta, por meritokracia kriteri i vetëm për përzgjedhjen e më të mirëve, sepse Kosova e meriton të përfaqësohet në botë nga më të mirët e këtij vendi. Të gjithë kandidatët e përzgjedhur do të kalojnë më pas nëpër një proces intesiv të trajnimit të aftësive të tyre jo vetëm në fushën e diplomacisë klasike, por edhe të formave bashkëkohore të diplomacisë”, ka vlerësuar Gërvalla.

Shefja e diplomacisë në këtë status nuk tregon se fajtore për vonesat në këtë konkurs ishte vet ajo.

Një konkurs i tillë ishte hapur edhe vitin e kaluar, por në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Pas një monitorimi, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, kishte rekomanduar anulimin e konkursit.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kishte pranuar gabimin, duke thënë se do ta respektonte rekomandimin e KPMShK-së.

Me njoftim zyrtar MPJD-ja kishte njoftuar se do ta anulonte ketë konkurs.

“Në zbatim të vendimit nr.52/2022 të datës 20.09.2022 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, anulohet konkursi i datës 01.07.2022 me nr.prot 2436 për 32 (tridhjetë e dy) zyrtarë të misionit diplomatik, shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.

Konkursi i fundit është hapur për 30 diplomat të rinj.

Në konkurs kërkohet që aplikuesit të kenë njohur të përgjithshëm të shkencave politike dhe njohuri në disa gjuhë të huaja./Nacionale/

Të ngjashme