Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka përkujtoi sot rënien heroike të Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
Ajo theksoi se, sot kujtojmë me respekt e admirimin më të thellë këtë sakrificë sublime.
“Çerek shekulli më parë, qëndresa dhe rënia heroike e Komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari u kthyen në një simbol të luftës së Kosovës për liri”, u shpreh Xhaçka.
“Sot, e kujtojmë me respekt e admirimin më të thellë këtë sakrificë sublime që e ka vendosur Bacën Adem dhe familjen e tij në altarin e dëshmorëve të kombit shqiptar”, shtoi Xhaçka.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skënderajt, në Kosovë u sulmuan nga forcat serbe shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.
Historia e familjes Jashari dhe eksponentët e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.