Lajme
Ministrja e Finlandës beson se Kosovës i liberalizohen vizat, por dialogu thotë që duhet shfrytëzuar maksimalisht
Demokracia
21:10 | 03 Korrik 2022

Share:

Ministrja e Finlandës për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen thotë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është çështja më e rëndësishme e Evropës, në situatën aktuale pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se përgjigja e tij karshi reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për letërnjoftim dhe targa do të jetë “vdekjeprurëse”, ministrja finlandeze thotë se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndien keqardhje.

Ajo beson se është koha e duhur që të liberalizohen vizat për Kosovën, derisa tregon se Finlanda është pro anëtarësimit të Kosovës edhe në Këshillin e Evropës dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

“Para së gjithash, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është çështja më e rëndësishme, jo vetëm për vetë rajonin, por edhe për Evropën. Po flasim për fqinjësinë evropiane; prandaj është kauza jonë e përbashkët për të rritur stabilitetin në rajon. Dhe më duhet të them se çdo retorikë përshkallëzuese është diçka për të cilën ndiej keqardhje. Shpresoj që të gjithë të punojnë drejt një mirëkuptimi dhe marrëveshjeje të përbashkët, sepse vetëm përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të arrijmë paqen dhe stabilitetin. Besoj se Kosova ka të drejtën ligjore për zgjedhje, por shpresoj që në fund të gjithë ta kuptojnë se duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të shmangim çdo përshkallëzim”, thotë ajo.

Duke qenë se Serbia është i vetmi vend që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pas agresionit ushtarak në Ukrainë, Tuppurainen tërheq vërejtjen se vendet duhet të vendosin qartë se cilën anë të historisë mbajnë.

Sipas saj, vetëm një Evropë e bashkuar mund të përballet me Rusinë.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, vetëm të bashkuar mund të përballemi me Rusinë. Le të jemi të qartë. Rusia është një autokraci, e cila po bën një luftë, një luftë të pamëshirshme ilegale në Ukrainë. Dhe ne duhet të vendosim se në cilën anë të historisë jemi. A po luftojmë për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, apo jemi ulur në “gardh”? Unë besoj se ne të gjithë duhet të zgjedhim anën dhe të përshtatemi plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Është një domosdoshmëri nëse doni të vazhdoni në negociatat tuaja të zgjerimit dhe anëtarësimit, të cilat ky rajon është aktualisht duke i zhvilluar”, thotë ministrja finlandeze për KosovaPress.

Ministrja finlandeze për çështje të Evropës flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi, për çka thotë se beson që është momenti i duhur për ta zgjeruar edhe më tej.

Ajo thekson se nuk i takon vetëm Kosovës të zgjidhë problemet që janë në tryezë.

“Ne besojmë se dialogu është shumë i rëndësishëm. Sigurisht që kjo çështje i takon Kosovës. Merrni vendimet vet. Varet nga ju, si e shfrytëzoni ecurinë e dialogut. Mendoj se tani pas zgjedhjeve serbe, është një moment i ri për të zgjeruar më tej dialogun. BE-ja ka investuar shumë në këtë dialog, duke pasur përfaqësuesin special Lajçak që vepron në këtë fushë dhe ne e mbështesim fuqishëm punën e Lajçakut. Sigurisht, duhen dy për tango. Nuk i takon vetëm Kosovës që të zgjidhë çështjet që janë në tryezë. Por megjithatë, ju mund të jeni forca që po përpiqet për të mirën, që përpiqet për interesin e përbashkët dhe që përpiqet për një marrëveshje të mirë përfundimtare. Sepse në fund ju duhet një marrëveshje e ndërsjellë, për të ecur në rrugën tuaj evropiane. Besoj se Kosova i përket Evropës, bashkëpunimit tonë të ndërsjellë, por ky dialog është diçka që duhet shfrytëzuar maksimalisht. Kështu që ju inkurajoj, por e kuptoj plotësisht se i takon Kosovës të bëjë zgjedhjet e saj”, thotë ajo.

Ministrja finlandeze për çështje evropiane, Tytti Tuppurainen po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku nesër pritet të takojë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

LEXO EDHE: 

Ministrja e Finlandës për çështje evropiane: Momenti i duhur që të liberalizohen vizat për Kosovën

Të ngjashme