Lajme
Ministria e Muratit ka përzgjedhur organizatën që e ka themeluar deputeti i VV-së për të shpërndarë pako ushqimore
Demokracia
18:02 | 16 Korrik 2022

Share:

Ministria e Financave para disa muajve kishte marrë vendim për mbështetje të organizatave dhe entiteteve që shpërndajnë pako ushqimore për familjet në nevojë.

Një ndër organizatat e përzgjedhura për t’ia dhënë këtë mbështetje është edhe organizata nga Rahoveci “Iniciativa Pozitive”, e cila ishte themeluar nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica, raporton Gazeta Express.

Madje, partia në përshkrimin e Korenicës kur pati kandiduar si deputet, kishte lavdëruar punën e organizatës.

“Në vitin 2009 [Korenica] themeloi organizatën joqeveritare Iniciativa Pozitive, e cila brenda një viti u bë organizatë relevante në fushën e aktivizmit qytetar për kulturë, arsim, sport dhe asistencë sociale në Rahovec”, thuhej në postim.

Megjithatë, Korenica nuk është më në krye të kësaj organizate pas zgjedhjes deputet.

Organizata, që tashmë drejtohet nga Sedat Vuçitërna, në maj të këtij viti kishte njoftuar se pas aplikimit për këtë mbështetje të Ministrisë është përzgjedhur si përfituese.

“Iniciativa Pozitive njofton se në kuadër të mbështetjes financiare për OJQ-të të ofruar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, Masës 3.4 – Pako ushqimore për familjet në nevojë! “Iniciativës Pozitive” i është aprovuar kërkesa për shpërndarjen e 300 pakove ushqimore në teritorin e komunës së Rahovecit. Pas përgatitjeve dhe mbledhjes së të dhënave, vullnetarët tanë do të fillojnë shpërndarjen e pakove te familjet në nevojë”, kishte shkruar organizata.

Ndërkaq, këtë muaj Iniciativa Pozitive tregoi se ka filluar me shpërndarjen e pakove ushqimore, kryesisht në qytetin e Rahovecit.

“Gjatë fazës së parë janë shpërndarë rreth 150 pako nga gjithsej 300 pako sa është donacioni nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate, derisa ka falënderuar ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Ky i fundit në prill të këtij viti kishte publikuar thirrjen e hapur për mbështetje të organizatave dhe entiteteve që shpërndajnë pako ushqimore për familjet në nevojë, në kuadër të Masës 3.4.

Atëherë Murati kishte thënë se mbështetja do të jetë varësisht nga kapaciteti shpërndarës që ka organizata.

Ndihma ishte pako ushqimore deri në 50 euro për familje dhe q së paku 70% e vlerës së pakos të jetë produkte vendore.

Të ngjashme