Lajme
Ministria e Xhelal Sveçlës minon konkurrencën, nënshkruan kontratë gjysmëmilionëshe me negocim me një kompani që rriti çmimin
Demokracia
15:49 | 19 Korrik 2024

Share:

MPB dhe “Botek shpk” pritet të nënshkruajnë një kontratë në vlerë fiks 496 mijë euro. Kohëzgjatja e marrëveshjes kornizë është 36 muaj. Qëllimi i këtij aktiviteti është paraqitja e nevojave të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (MPB) për mirëmbajtje të sistemit AFIS (KABIS7).

Edhe pse tenderi ka qenë me negocim, duke u shmangur procedura e hapur ku do të duhej të ftoheshin në garë pjesëmarrësit e tjerë, është tejkaluar vlera e parashikuar e kontratës për rreth 30 mijë euro. Pasi siç shihej, ministri kishte vendosur një vlerë prej 466,200.00 euro, ndërsa kontrata do të lidhet me çmimin prej 496 mijë euro.

Rëndom institucionet edhe kur realizojnë tender me negocim, ofertën ua dërgojnë dy-tri kompanive dhe shqyrtojnë ofertën më të lirë. Në këtë rast, MPB-ja ia ka dërguar vetëm “Botek”-ut, e cila më pas ia ka ngritur çmimin sipas dëshirës. Këtë e dëshmojnë edhe negociatat e vazhdueshme që ka bërë ministria me këtë kompani, ku fillimisht kishte vendosur çmime edhe më të larta sesa ky përfundimtar, ndonëse është 30 mijë më shumë se planifikimi.

Demokracia.com ka parë korrespodencat mes ministrisë dhe kompanisë. Në fund kanë rënë në ujdi për ofertimin e fundit, i cili është edhe në njoftimin për dhënie të kontratës:

“Komisioni i negocimit e ka shqyrtuar ofertën e tenderuesit të datës 31.05.2024 dhe konsideron se çmimi i ofruar është i papranueshëm, sepse e tejkalon parallogarinë e planifikuar të autoritetit kontraktues. Prandaj kërkojmë që çmimi i shërbimit të ofertohet edhe njëherë dhe të jetë në përputhshmëri me çmimet e tregut për shërbimin e kërkuar. Komisioni negocues, pas shqyrtimit të ofertës së parë, ka vendosur që të dërgojë ftesën e dytë për negocim. Duke ditur që AKF-ja operon me këtë sistem me kontratën e kaluar, kurse ju si OE që keni ofruar mirëmbajtje si ndërmjetësues nga kompania Thales dhe keni njohuri të mjaftueshme për shërbimet nga kontrata e kaluar. Duke mos vërejtur dallime të mëdha mes kontratës së kaluar dhe kontratës së tanishme, komisioni negociues kërkon që në ofertën e dytë për shërbimin: “Mirëmbajtja e sistemit AFIS në AKF” të zbritet çmimi dhe të ofertohet në përputhje me planifikimet e AKF-së dhe çmimet e tregut. Andaj, ju lutemi që të jeni fleksibil dhe të ofroni një çmim më të pranueshëm. Ne, si Autoritet Kontraktues, nuk pranojmë asnjë ndryshim”, thuhet në negociatën e parë, por që më pas ka pasur edhe të tjera, shkruan Demokracia.com.

Po të realizohej tenderi me ‘procedurë të hapur’, çmimi do të ishte më i ulët, pasi do të kishte konkurrencë.

Neni 35 i këtij ligji, tek kapitulli “Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës”, ka paraparë rastet se kur duhet të aplikohet kjo procedurë: “(iii) nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”.

Në këtë rast, MPB-ja ka shkaktuar vetë emergjencën, pasi nuk ka proceduar me kohë për këtë aktivitet të prokurimit. Kësisoj, e ka minuar konkurrencën.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF) posedon databazën qendrore të sistemit AFIS (Automated Fingerprint Identification System), i cili funksionon në të gjitha rajonet e Kosovës dhe në disa pika kufitare me nënsistemin e tij të quajtur LiveID. Sistemi AFIS në databazën e vet ka gjurmët latente (të fshehta) të cilat hetuesi i sjell nga vendi i ngjarjes për t’u identifikuar me anë të sistemit AFIS në dhjetë gishtërinjtë apo shuplakët e deponuara më herët nga qendrat e paraburgimit apo vijës kufitare.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë operon me databazën kriminale ku si subjekt hetimi ka gjurmët e gishtërinjve dhe, si e tillë, është e vetmja në Republikën e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme