Lajme
Ministria e Sveçlës tentoi të lidhë kundërligjshëm kontratë me kompaninë që VV e kishte angazhuar në zgjedhje
Demokracia
19:02 | 31 Mars 2022

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme e cila udhëhiqet nga ministri, Xhelal Sveçla rrezikoi shëndetin e stafit të ministrisë nga infektimi me Covid-19, kjo për shkak se bënë dallavere në tenderin për furnizim me materiale kundër koronavirusit. MPB madje tentoi të lidhë kundërligjshëm një kontratë me kompaninë që Vetëvendosje e kishte angazhuar në zgjedhje.

“Furnizim me material shpenzues anti-Covid për stafin e MPB-së”. Kështu quhet tenderi i cili ishte hapur më datë 15.09.2021 nga zyra e prokurimit të MBP-së, i cili akoma nuk është finalizuar.

Tenderi përmban brenda vetes edhe furnizimin me maska për zyrtarët e ministrisë, brenda ambientit, ani pse nëse finalizohet në ndërkohë, kjo masë është larguar nga Ministria e Shtetësisë.

Prej vitit të kaluar e deri më tani, zyrtarët  e ministrisë nuk kanë pasur pajisje në zyre kundër COVID, ngase në këtë tender po procedohet kundërligjshëm. Njëherë shpallet një fitues e një herë një tjetër, e një herë anulohet tenderi. Në iniciativën e fundit u rekomandua për kontratë një kompani e cila dyshohet se ka paraqitur dokumente të falsifikuara, ose të pa rregullta në ofertim, duke prezantuar autorizime të një kompanie kineze për produkte që ka ofruar. Tash tenderi ka ngecur përfundimisht në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP, dhe nuk mund të realizohet edhe një kohë, ngase ky institucion nuk ka bord drejtues që të marrë vendim për këtë lëndë të prokurimit. Ministria është e detyruar që ta mbajë pezull tenderin deri sa bordi të marrë vendim.

Si nisën shkeljet?

Në shtator të vitit të kaluar, prokurimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka hapur ofertë të vlerë të mesme me procedurë të hapur me kohëzgjatje, jo për një vit, sikurse furnizohen të gjitha institucionet me këto preparate për luftimin e Covid-19, por me kohëzgjatje për 36 muaj. Rrjedhimisht, ministria mëton të lidhë kontratë -kornizë 3 vjeçare për furnizim me materiale shpenzuese anti-Covid.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 95 000,00 euro euro për furnizim me shtatë artikuj sipas nevojës.

Në garë për këtë tender kanë marr pjesë 7 kompani, të cilat i kanë vendosur edhe çmimet  e tyre për njësi për shtatë artikuj të kërkuar:

  1. “Matkos Pahrm” SHPK, me vlerë totale të ofertës me peshim -çmimi për njësi 7, 60 euro.
  2. “Alb -Pharm” SHPK, çmimi për njësi 40, 80 euro.
  3. “Yoobopo” SHPK, çmimi për njësi 5, 42 euro.
  4. “Eco Solution” SHPK, me çmim për njësi 5, 88 euro.
  5. “Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi OP”, çmimi për njësi 5, 88 euro.
  6. “Teknika” SHPK, çmimi për njësi 4, 98 euro.
  7. Grupi i operatorëve ekonomik “RSR Kosova L.L.C” & “RSR EOOD”, me çmim 8, 80 euro.
  8. “Ardi” SHPK, me çmim prej 3, 64 euro.

Siç ka parë Periskopi, nga dokumentet e publikuara në KRPP, më 12.12.2021, prokurimi i ministrisë ka shpallur fitues kompaninë “Teknika” SHPK, që kishte çmimin më të lirë dhe sipas ministrisë ishte në rregull me dokumentacionin.

Me vendimin e ministrisë nuk është pajtuar kompania ofertuese “Ardi” SHPK. Menjëherë ka parashtruar ankesë në ministri, duke pretenduar se është shkelur Ligji në disa pika kur është rekomanduar për kontratë kompania “Teknika” SHPK, dhe se është shkelur Ligji kur është përjashtuar kompania e tyre.

Ministria e ka marrë në trajtim ankesën dhe e ka miratuar atë pjesërisht. Pra, prokurimi i ministrisë ka pranuar se ka bërë vetë shkelje. Andaj ka vendosur që të anulojë njoftimin e vetë të parë dhe tenderin e ka kthyer në rivlerësim.

Pas rivlerësimit të tenderit, ministria shpalli njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit me arsyetimin se të gjitha ofertat ishin të papërgjegjshme. Pra u vendos që tash tenderi të anulohet krejt.

Me vendimin e ministrisë nuk është pajtuar ofertuesi “Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi OP”,  ku ka dhënë faktet e veta se në arsyetimin e ministrisë në pikat që është shpallë i papërgjegjshëm, i posedonte ato dokumente. Andaj ka kërkuar që të bëhet edhe një rivlerësim i ofertave dhe të kërkohen sqarime shtesë. Ministria e ka marrë kërkesën në rishqyrtim, duke e pezulluar tenderin dhe ka vendosur që ta kthejë tenderin në rivlerësim. Pra, edhe këtë herë, ministria e pranoi se kishte proceduar kundërligjshëm. Pas rivlerësimit, fitues e ka shpallur kompaninë ankuese “Blendi” e cila dy herë ishte shpallur e papërgjegjshme, duke u konsideruar se nuk i posedon një sër dokumentesh, konform kërkesave të vendosura në dosje të tenderit nga njësia kërkuese e ministrisë. Por, ministria i kishte kërkuar sqarime shtesë, dhe sipas saj ia kishte dërguar dokumentacionin e kompletuar.

Përsëri me këtë vendim nuk është pajtuar kompania tjetër ofertuese, që ishte ankuar edhe herën e parë “Ardi”, dhe në afatin ligjor është ankuar tek prokurimi i ministrisë. Pretendimet e saj kanë qenë se kompania fituese nuk posedonte një sërë dokumentesh, për më keq, ka ofruar edhe dëshmi të rreme, duke ofruar dokumente të falsifikuara. Po ashtu, ka kundërshtuar pikat në të cilat është prokurimi i ministrisë ka shkruar se është e papërgjegjshme ajo vetë si garuese.

Ministria e ka marrë në rishqyrtim ankesën dhe e ka pezulluar procedurën tenderuese. Pas rishqyrtimit këtë herë ministria ka vendosur që mos të aprovojë asnjë pikë të ankesës dhe e ka hedhur poshtë si të palejuar, duke e lënë përfundimisht në fuqi vendimin e vetë për dhënie të kontratës për kompaninë “Blendi”.

“Ardi” SHPK në afatin e lejuar kohor ka vendosur që të ankohet e të shfrytëzojë të drejtën ligjore e ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ky organ i cili është pa bord drejtues e ka autorizuar ekspertin e vetë, Blerina Huruglica për të shoshitur të gjitha pretendimet e kompanisë ankuese kundër vendimit të fundit të ministrisë, ku është rekomanduar për kontratë kompania “Blendi”.

Gjetjet e ekspertes

Ekspertja Blerina Huruglica e ka dorëzuar raportin e saj më datë 24.03.2022.

Periskopi e ka parë këtë raport, i cili ka sugjeruar  të anulohet vendimi i fundit i ministrisë për rekomandim për kontratë dhe komplet lënda të kthehet në rivlerësim, pasi janë gjetur disa shkelje.

“Pas analizimi dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës lidhur me pretendimet e OE ankues, konsideroj se ky aktivitet i prokurimit duhet të kthehet në rivlerësim, duke rekomanduar AK-në që vlerësimin, ekzaminimin, dhe krahasimin e ofertave ta bëjë konform LPP-së dhe Rruopp-së. Bazuar në sqarimet e lartpërmendura, Ekspertja Shqyrtuese i propozon Panelit Shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar gjersa vendimi i AK-së të anulohet dhe se lënda të kthehet në rivlerësim’, thuhet në fund të raportit të ekspertizës.

Në mesin e shkeljeve të pretenduara është shoshitur edhe pretendimi për ofertim të dokumentit të falsifikuar nga kompania “Blendi”. Kjo, pasi kompania “Ardi” po aludon në një falsifikim të tillë.

Në raport janë paraqitur disa pikë ankimore dhe në fund për secilën, ekspertja ka dhënë përgjigje, shumicën nga to i ka miratuar.

Në një pikë ankimore “Ardi” sh.p.k. konsideron se OE “Blendi” është i papërgjegjshëm për arsye se më datë 19.11.2021, ata i janë drejtuar kompanisë kineze VVenzhou Tiexiong Trading Co Ltd, ku kanë kërkuar t’i konfirmojnë nëse kanë lëshuar apo jo autorizimet për produktet për OE “Teknika” dhe OE “Blendi”, respektivisht autorizimet e datave 05.10.2021 dhe 07.10.2021, të cilat autorizime i kanë prezantuar si dokumente në dosjet e tenderit këto dy kompani gjatë ofertimit të tyre.

“Më datë 20.11.2021, kemi pranuar email nga përfaqësuesja e kompanisë kineze Vvenzhou Tiexiong Trading Co Ltd, e që është Tracy me të cilin ka konfirmuar se nënshkrimi në autorizimet e prezantuara nga OE “Teknika” dhe OE “Blendi” nuk është i personave zyrtar të kësaj kompanie, ku e njëjta thekson takstualisht “Zotëri, ku i keni marrë dokumentet e bashkangjitura? Nuk është nënshkrimi ynë. Se komunikimin e kemi bërë me kompaninë kineze VVenzhou Tiexiong Trading Co Ltd, e dëshmon edhe email tjetër i kësaj kompanie i datës 19.11.2021, me të cilin kjo kompani ka autorizuar kompaninë tonë për këtë tender, e që konfirmon faktin se pikërisht kjo kompani që na ka autorizuar neve”, thuhet në raport, në pretendimin e pikës për falsifikim të dokumentit.

“Andaj, duke qenë se kompania kineze VVenzhou Tiexiong Trading Co Ltd, konstaton se nuk ka lëshuar autorizimet për OE “Teknika” dhe OE “Blendi”, kjo nënkupton se autorizimet e prezantuara nga këta dy OE të datave 05 10.2021 dhe 07.10.2021 janë të falsifikuara ose në ndonjë formë tjetër janë formuar nga vet këta OE dhe nuk janë lëshuar asnjëherë nga prodhuesi i këtyre produkteve, respektivisht kompania kineze VVenzhou Tiexiong Trading Co Ltd. Për të dëshmuar se kompania VVenzhou Tiexiong Trading Co Ltd, nuk e ka lëshuar autorizimin për OE “Blendi”, ne kemi kontaktuar këtë kompani kineze e cila ka lëshuar për ne autorizimin dhe nga i cili AK mund të shoh se dallon edhe nënshkrimi edhe vula, ku autorizimi i lëshuar për ne është lëshuar nga personat e autorizuar të kësaj kompanitë”, thuhet tutje në ankesë.

Sipas kompanisë ankuese, përveç kësaj, autorizimi i prezantuar nga “Blendi” nuk e përmban fare emrin e personit fizik në pozitën e drejtorit, që e ka nënshkruar autorizimin në emër të kompanisë prodhuese VVenzhou Tiexiong Trading Co Ltd.

“Kjo përbënë mashtrim nga këta OE andaj si të tillë OE “Blendi”, duhet të shpallet i papërgjegjshëm dhe të eliminohet nga ky aktivitet i prokurimit”.

Kompania ankuese, tutje ka shkruar se i ka propozuar ministrisë të kontaktojë kompaninë kineze VVenzhou Tiexiong Trading Co Ltd. dhe të konfirmojë edhe vet nëse këto dy autorizime të datave 05.10.2021 dhe 07.10.2021 të dorëzuar nga kompanitë janë lëshuar apo jo nga kompania kineze VVenzhou Tiexiong Trading Co Ltd. “Mirëpo, ministria këtë propozim AK as që e ka marrë në konsideratë”.

Ekspertja Shqyrtuese, Blerina Huruglica, sa i përket këtij pretendimi të kompanisë ankuese, kundër kompanisë së rekomanduari për kontratë sqaron se, “lidhur me autorizimet, nëse i krahasojmë autorizimet e OE ankuesit, OE të rekomanduarit “Blendi” dhe OE “Tenika” meqë është i njejti prodhues, shohim se kanë dallim, gjithashtu edhe OE ankues ka dëshmi që ju është drejtuar me e-mail kompanisë kineze, e cila e mohon se ka lëshuar një autorizim të tillë për OE “Blendi” dhe OE “Teknika”, andaj AK gjatë procesit të rivlerësimit rekomandoj që ti vërtetoj këto autorizime sipas pretendimit të OE ankues, duke kërkuar sqarim nga kompania në fjalë”, thuhet në fjalën përfundimtare të ekspertes sa i përket këtij pretendimi, ku e ka sugjeruar ministrinë se të shohë se cili dokument nuk është valid, ai i kompanisë ankuese, apo ky që ka paraqitur kompania fituese. Megjithëkëtë, një kërkese të tillë, ministrisë ia kishte drejtuar edhe kompania ankuese në herën e parë kur ishte shpallur kjo kompani si fituese.

Periskopi ka drejtuar disa pyetje në MPB lidhur më këtë tender, ku në mesin e tyre ka pyetur ministrinë se a kanë kërkuar nga kompania kineze se cilat kompani janë të autorizuara në Kosovë që të shesin produktet e tyre. Ministria nuk është përgjigjur farë në asnjë pyetje, as në ato që kanë të bëjnë se si do të procedohet tutje në këtë tender, meqë OSHP-ja është pa bord drejtues.

Periskopi ka kërkuar një përgjigje edhe nga kompania kineze lidhur më këtë çështje, por nuk kemi marrë përgjigje.

Ekspertja e OSHP-së ka gjetur edhe disa pika tjera të ankesës që janë të bazuar.

Kompania e rekomanduar për kontratë ka pasur kontratë edhe LVV-në

“Ndërmarrja Tregtare Grafike Blendi O.P”, si aktivitet primar e ka “Aktivitetet e tjera botuese”, ndërsa sekondar “Shtypje të tjera”. Pra, ministria kishte vendosur që të furnizohet me produkte kundër Covid-19 nga një shtypshkronjë.

Kjo kompani e ka një lidhje me partinë e Xhelal Sveçlës.

Sipas formularit “Lista e donacioneve të Subjekteve Politike për zgjedhjet lokale të vitit 2021” që LVV e ka dorëzuar para pak ditëve në Komisionin Qendre të Zgjedhjeve, figuron se nga kjo kompani ishin blerë shërbime.

“Shtypja e materialeve reklamuese”. Kështu quhet shërbimi që Vetëvendosje e kishte blerë nga NTG “Blendi” në vlerë prej 10, 015.26 euro. Në këtë formular janë paraqitur financuesit e partisë dhe disa kompani nga të cilat janë blerë shërbime për fushatë.

 Produktet e kërkuara

Insitucionet e shëndetësisë në Kosovë kanë vendosur para disa javëve që vendi të hapet më shumë në raport me luftën ndaj pandemisë.

Në tenderin i cili ishte hapur që në vitin e kaluar e që po metohet të finalizohet tash nga MPB-ja janë kërkuar shtatë produktet e kërkuara për furnizim:1. Dezinfektues, në shishe 1000 ml; 2 dezinfektues në shishe 500 ml; 3. maska me filtër; 4 maska pako 1/50 copë; 5 termometër infrared; 6 dorëza, pako 1/100 copë; aparati për vendosjen e dezinfektuesve ne mure, 1L.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë në mars të vitit 2020, institucionet kanë filluar me blerjen e materialeve mbrojtëse, dezinfektimin e hapësirave në përpjekje për ta luftuar COVID-19. Për t’i blerë këto materiale, institucionet në masë të madhe kanë shfrytëzuar procedurën e negociuar të prokurimit publik, pra pa publikim të njoftimit për kontratë. Menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para me COVID-19, Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik (KRPP), kishte lëshuar njoftim për t’i lejuar institucionet që t’i aplikojnë procedurat emergjente për blerje të materialeve që kanë të bëjnë me pandeminë. Vendimi ishte shfuqizuar nga KRPP-ja në dhjetor të vitit 2020, dhe institucionet ishin obliguar që të realizojnë tender me procedura të hapura.

Disa nga kontratat janë lidhur me çmime shumë të larta, derisa ka pasur institucione që kanë lidhur kontrata me çmime shumë të ulëta, pra nën çmimin e tregut.

Të ngjashme