Lajme
Ministria e Rozeta Hajdarit i mbajti të fshehura kompanitë, përfshihet “balldëska” e vëllait të Kurtit
Demokracia
18:36 | 25 Mars 2022

Share:

Gjatë ditës së sotme, kompanitë fituese që kanë përfituar grante nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes projektit CREP, kanë nënshkruar kontratat e tyre. Pavarësisht insistimit të Demokracia.com për të marrë detaje lidhur me emrat e përfituesve, MINT nuk ishte treguar aspak transparente.

Afër 10 milionë euro nga projekti CREP i Bankës Botërore ishin ridestinuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ndërmarrje të mesme dhe të vogla. Ky projekt ishte anuluar nga ana e MINT-it në Qeverisjen Kurti I. Ndërsa, mjetet prej mbi 7  milionë euro që ishin dedikuar për Agjencinë e Metrologjisë dhe 2.8 milionë për Agjencinë KIESA u ridestinuan me kërkesë të ministres Rozeta Hajdari për MNVM, pa dijeninë e këtyre dy agjencive, të cilat në raportet e tyre pretendojnë se ka pasur shkelje në parim nga PIU, që udhëhiqej nga koordinatori Gazmend Mejzini dhe konsulentja e prokurimit Afërdita Selmani.

Kjo kredi e butë nga Banka Botërore e ndarë për grante nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që si kompani menaxhuese e projektit ishte “Prishtina REA”, u është ndarë kryesisht kompanive private për makineri prodhuese me rreth 5 milionë euro dhe 5 milionë euro të tjera si grante për standarde dhe certifikime të produkteve me ISO, laboratorë e digjitalizim.

Agjencia e Metrologjisë dhe ajo e KIESA-s kishin kuptuar se marrëveshja ishte ndryshuar vetëm pasi ajo ishte nënshkruar nga Ministri i Financave dhe Banka Botërore, me kërkesë të MINT-it.

Demokracia.com gjatë ditës së enjte raportoi se më 25 mars do t’i nënshkruajnë kontrata kompanitë që kanë përfituar grante nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë përmes projektit CREP, emrat e të cilave u mbajtën fshehtë nga kjo ministri.

Ndërkohë, të premten Insajderi ka raportuar se Nermin Pakashtica, motra e gruas së Taulant Kurtit, vëllait të kryeministrit Albin Kurti, është zgjedhur fituese në të njëjtin konkurs publik të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë.

Taulant Kurti, vëllai i Albin Kurtit, është përfshirë në fazën e parë të benefiteve të pushtetit -Nepotizmin.

Pikërisht motra e gruas së tij është punësuar në një projekt të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, të udhëhequr nga Rozeta Hajdari.

Në mesin e dhjetëra konkurrentëve për një vend pune me pagë të mirë, pikërisht familjarja e Taulant Kurtit është përzgjedhur si më e mira.

Kush është e afërmja e vëllait të Kurtit që u punësua nga MINT?

Nermin Pakashtica është motra e gruas së Taulant Kurtit, vëllait të kryeministrit Albin Kurti, i cili mbanë pozitë menaxheriale në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ajo është pranuar në projektin e Konkurrueshmerisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP), në mesin e konkurrentëve të tjerë.

Projekti CERP, i financuar nga Banka Botërore, implementohet nga Ministria e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari.

Projekti kap vlerën e 14,3 milionë euro që financohen nga kreditë e buta të Bankës Botërore, raporton Demokracia.com.

Qëllimi i Projektit të Konkurueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksportit, siç njofton edhe ministria është që të forcojë kapacitetin e institucioneve të zgjedhura publike në vend, që të kontribuojnë në përmirësimin e eksportit dhe konkurrueshmërisë së sektorit privat.

Projekti CERP ka për qëllim mbështetjen në certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, të forcojë kapacitetin e bizneseve të orientuara kah eksporti dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e tyre.

Insajderi ka kontaktuar me Nermin Pakashticën lidhur me përzgjedhjen e saj në projektin e CERP-it.

Fillimisht ajo ka thënë se nuk është zgjedhur nga MINT, por nga Banka Botërore dhe se për gjithçka rreth projektit dhe pozitës së saj do të përgjigjet Banka Botërore.

Por, Banka Botërore, që është financuese e këtij projekti e ka demantuar Pakashticën.

Në përgjigjen e tyre për Insajederin kanë thënë se përzgjedhja e stafit është bërë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e jo nga ata.

“Procesi i përzgjedhjes së stafit që punon në zbatimin e projektit është përgjegjësi e agjencisë zbatuese, në këtë rast Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ju lutemi drejtoni pyetjet tuaja tek Ministria”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithëkëtë, nga Banka Botërore nuk kanë treguar nëse kanë qenë në dijeni se Nermin Pakashtica ka afërsi me familjen e kryeministrit Albin Kurti.

Pas përgjigjes së Bankës Botërore, Insajderi ka kontaktuar edhe një herë Pakashticën për të marrë edhe versionin e saj për rastin. Ajo nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjet specifike, duke thënë vetëm se i ka përmbushur dhe tejkaluar kriteret e kërkuar në konkurs.

“Unë kam bisedu me zyrtarët përgjegjës që janë të Bankës Botërore, se me të ministrisë unë s`kom kontakt, ata kanë thanë që na do të përgjigjemi. S`kom nevojë me tu përgjigj. Punëdhënësi jem ka me t`i jep përgjigjet”, ka thënë ajo.

Pakashtica nuk ka treguar nëse afërsia e saj me vëllain e kryeministrit Kurti, Taulantin, ka ndikuar që ajo të pranohet në konkursin publik të Ministrisë së Tregtisë, që implementon projektin e Bankës Botërore.

Nuk ka treguar as çfarë angazhimi do të ketë në këtë projekt dhe sa zgjatë kontrata e saj.

Nermin Pakashtica, përveç këtij projekti është e punësuar edhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në nëntor të vitit 2020, në Kuvendin e Kosovës, deputeti Bekë Berisha me ironi kishte thënë se beson që “shpata e drejtësisë”, duke iu referuar Albin Kurtit ka ndikuar politikisht për ta punësuar motrën e gruas së vëllait të tij.

Por, zëdhënësi i Qeverisë i ishte kundërpërgjigjur Bekë Berishës lidhur me këtë çështje. Ai kishte thënë se Pakashtica nuk është “balldëska” e Albin Kurtit, por e vëllait të tij.

“Në lidhje me “balldëskën” e z.Kurtit: ne fakt bëhet fjalë për motrën e gruas së vëllait të z. Kurti, znj. Nermin Pakashtica. Ajo punon në këtë institucion që nga viti 2007, që kur i njëjti quhej AKM dhe në këtë pozitë është punësuar përmes një paneli intervistues ndërkombëtar”, kishte thënë Kryeziu.

Nepotizmi gjatë 1 vit qeverisje të kryeministrit Kurti

“Familjarët janë për dasma, jo për punësim në ministri”, thoshte dikur Albin Kurti. Ai vazhdimisht zotohej se gjatë qeverisjes së tij nuk do të ketë punësime me nepotizëm vetëm punësime me meritokraci.

Por, nuk zgjati shumë premtimi i tij, pasi e mori pushtetin si kryeministër i vendit. Në një vit qeverisje emërimet dhe punësimet më të mëdha në institucione e agjenci publike u bënë me familjarë të zyrtarëve të partisë dhe militantë.

Dyshimet për keqpërdorimin e projektit milionësh| Nesër nënshkruajnë kontratë kompanitë përfituese që u mbajtën fshehtë

DOKUMENTE| Ministria e Rozeta Hajdarit ndryshoi në heshtje projektet milionëshe, mbahen fshehtë kompanitë që përfituan

Të ngjashme