Lajme
Ministria e Mbrojtjes pranoi derivate për ngrohje dhe gjeneratorë pa komisione
Demokracia
18:13 | 29 Maj 2022

Share:

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje në pasqyrat financiare të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë vitit 2021.

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2021 kishte kryer pagesa dhe regjistruar shpenzime në vlerë 1,129,999€ nga kategoria ekonomike joadekuate, si rezultat i planifikimit jo të duhur të buxhetit dhe pasuritë ishin të nënvlerësuara për 35,386€, si pasojë e zhvlerësimit para kohe.

Në raportin e ZKA-së thuhet se kjo ka ndodhur pasi që Ministria e Mbrojtjes, pesë projekte kapitale i kishte regjistruar në Sistemin Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës, si pasuri kapitale para pranimit teknik të projektit apo pa përfunduar projekti, përcjell Demokracia.com.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj ka gjetur se pranimi i derivateve për ngrohje dhe për gjenerator në vlerë prej 145,026€ ishte bërë pa komision për pranimin e furnizimit dhe avanset e pambyllura në SIMFK në fund të vitit për atashetë e mbrojtjes ishin në vlerë prej 211,682€. Prej tyre 48,305€ ishin ende si avanse të hapura, përkundër që atashetë e kishin përfunduar misionin e tyre në korrik/tetor 2021.

Ministria e Mbrojtjes gjatë vitit të kaluar kishte shpenzuar 96% të buxhetit final ose 91,616,780€ me një përmirësim prej 5% në krahasim me vitin 2020.

ZKA në raportin e saj ka gjetur se fushat me probleme të theksuara te shpenzimet kanë të bëjnë me menaxhimin e financave që ndërlidhen me klasifikimin jo adekuat të shpenzimeve, vonesën në mbylljen e avanseve dhe menaxhimin e kontratave, ku kishte vonesa dhe mospërmbushje të kontratave, përfshirë edhe pranimin e mallrave pa komision.

Me tutje në raport thuhet se pasuritë nuk ishin regjistruar siç kërkohet dhe sistemi e-Pasuria kishte gabime në përshkrime të artikujve, përfshirë edhe vonesat në raportimin nga procesi i vlerësimit dhe formimin e komisionit për tjetërsim. Këto gjetje dhe rekomandime kanë për qëllim të bëjnë korrigjimin e nevojshëm të informacionit financiar të paraqitur në pasqyrat financiare, duke përfshirë shpalosjet në formë të shënimeve shpjeguese dhe të përmirësojnë kontrollet e brendshme lidhur me raportimin financiar dhe pajtueshmërinë me autoritetet në lidhje me menaxhimin e fondeve të sektorit publik.

ZKA ka bërë të ditur se ky raport ka rezultuar me shtatë (7) rekomandime, ku prej tyre gjashtë (6) janë rekomandime të reja dhe një (1) i përsëritur, përcjell Demokracia.com.

Neni 23 i rregullës financiare nr. 01/2013 për shpenzimin e parave publike thekson se “Pranimi i mallit/shërbimit bëhet nga zyrtari/komisioni i autorizuar. Raporti i pranimit të mallit/shërbimit nga zyrtari/komisioni i autorizuar duhet t’i dorëzohet zyrës për buxhet dhe financa së bashku me kontratën dhe urdhërblerjen”.

ZKA në këtë raport ka identifikuar se në tri pagesa të furnizimeve me derivate për ngrohje dhe për gjenerator në vlerë 145,026€, pranimi i tyre ishte bërë nga një zyrtar e jo nga komisioni për pranimin e mallit/furnizimit.

Sasia e furnizimeve me derivate sillej nga 500 – 12,000 litra për një furnizim (brenda një muaji kishte disa furnizime), dhe ishte në njësi (regjione) të ndryshme të ministrisë.

Kjo ka ndodhur për shkak të mosformimit të komisionit për pranimin e mallrave/furnizimeve thuhet në raportin e ZKA-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme