Lajme
Ministria e Mbrojtjes i jep tender për furnizim me ushqime të FSK-së kompanisë me të cilën kishte telashe serioze
Demokracia
16:33 | 09 Prill 2023

Share:

Kompania që u hetua nën dyshimet për falsifikim të certifikatave ISO me rastin e tenderit 8.4 milionë euro për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), më 2020, tash në vitin 2023 PËRSËRI ka fituar tender milionësh nga Ministria e Mbrojtjes.

2 milionë e 142 mijë euro është vlera e tenderit që ka fituar kompania “Beni Dona Plast”.

Më 4 mars, Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Beni Dona Plast” për “Shërbimi me ushqim ( furnizimi, përgatitja dhe servimi ) për nevojat emergjente për të gjithë kuzhinat të FSK-së”.

Sipas Dosjes së Tenderit, të publikuar në platformën e-prokurimi, kompania “Beni Dona Plast” do të shërbejë ushqim për ushtarët e FSK-së në kazermat e saj në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Ferizaj, Pomozotin, Gjakovë, Prizren.

Vlera e kësaj kontrate është 2 milionë e 142 mijë euro dhe është paraparë që të zgjas vetëm gjashtë muaj.

Çmimi për një racion nuk dihet, por ajo që dihet është se sasia e përafërt për gjashtë muaj është: 60 mijë racione për mëngjes, 400 mijë për drekë dhe 60 mijë për darkë, shkruan Nacionale.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, Beni Dona Plast ka fituar tenderin që pritet të furnizojë të gjitha kazermat e FSK-së me ushqim.

Ministria e Mbrojtjes ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës në këtë aktivitet prokurimi.

Kontrata milionëshe është negociuar drejtpërdrejt mes palëve, teksa thuhet se kriter i dhënies së tenderit ka qënë çmimi më i ulët.

Kjo lloj e procedurës nuk rekomandohet pasi që me anë të tyre kufizohet konkurrenca dhe mund të rrisin mundësinë për çmime më të larta.

Deri më tani në Organin Shqyrtues të Prokurimit nuk është paraqitur ndonjë ankesë për tenderin në fjalë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes në fund të vitit 2021 kishte reaguar ndaj raportimeve që u bën në atë kohë për kompaninë në fjalë dhe për tenderin për furnizim me ushqim për FSK-në.

Në reagimi e tyre në Facebook, thuhej se MM ishte palë e dëmtuar dhe se MM kishte rekomanduar mosdhënien e tenderit ndaj kompanisë “Beni Dona”.

Gjithashtu, në njoftim thuhej se MM po shqyrtonte mundësitë ligjore për këtë kontratë.

Por tani duket se Ministrisë së Mbrojtjes që udhëheqet nga Armend Mehaj nuk i ka penguar që kontratë t’i jepet një operatorit që e kishte “dëmtuar” dhe pretendonte të marrë hapa ligjore ndaj tyre.

Çka dihet?

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte rifilluar hetimet për dyshimet me falsifikim të dosjes së tenderit nga kompania “Beni Dona Plast” për tenderin prej 8.4 milionë eurove për furnizim me ushqim të FSK-së.

“Rasti është rihapur pasi që kanë nisur hulumtimet nga emisioni “Iustitia” lidhur me këtë çështje.” – thuhet në raportimin e REL.

Deri më tani nuk dihet se deri ku kanë mbërritur hetimet.

Gjithashtu, kompania Beni Dona Plast, hetohet edhe për furnizim me ushqime me afat të skaduar për pjesëtarët e Njësitit Special të Policisë së Kosovës në kampin Belvedere, në Lagjen e Bairit në Mitrovicë.

Rasti kishte ndodhur në shtator të vitit 2022.

“Ankuesit kanë njoftuar se nga operatori i kontraktuar janë sjellë produkte me afat të skaduar. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e AUVK-ut dhe, sipas ekzaminimeve të tyre, ushqimet nuk ruheshin sipas standardeve të parapara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar.” – thuhej në raportin e Policisë.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve(ARBK), kompania Beni Dona është pronë e biznesmenit, Ragip Mustafa.

Të ngjashme