Lajme
Ministria e Kulturës iu ndau qindra-mijëra euro fonde organizatave që kanë lidhje me pushtetin
Demokracia
17:58 | 29 Qershor 2024

Share:

Në listën preliminare të organizatave joqeveritare që janë përfituese të thirrjes publike “Art dhe trashëgimi kulturore”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, figurojnë disa organizata që janë të lidhura me eksponentë të pushtetit.

Njëra prej tyre është organizata “Ec Ma Ndryshe”, të cilën e kishte udhëhequr Hajrulla Çeku, Ministri i tanishëm i Kulturës, i cili ka hapur këtë aplikim.

I angazhuar në këtë organizatë ishte edhe vëllai i tij, Fati Çeku. Kësaj organizate Qeveria ia ndau 257 mijë euro.

Në një përgjigje për Albanian Post, nga OJQ “Ec Ma Ndryshe”, kanë pranuar se dy vëllezërit Çeku kanë punuar në këtë organizatë, ministri deri në vitin 2017, ndërsa i vëllai Fati deri më 2019.

Nga kjo organizatë kanë potencuar se fonde nga qeveria, përkatësisht MKRS-ja kanë marrë që nga janari i vitit 2020.

Kësaj organizate, për vitin 2024, i janë ndarë 82 mijë euro, për vitin 2025, 85 mijë euro dhe 90 mijë euro për vitin 2026.

Albanian Post ka dërguar pyetje dhe ka telefonuar ministrin Çeku për këtë çështje, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk ka kthyer përgjigje. Ngjashëm ka vepruar edhe vëllai i tij.

Përveç kësaj, përfituese e thirrjes së MKRS-së është edhe organizata “Autostrada Biennale”. Bashkëthemeluese e kësaj organizate është Vatra Abrashi, motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje – partia që ka pushtetin – Artan Abrashi.

“Autostrada Biennale” ka përfituar nga ministria e Çekut plotë 255 mijë euro.

Në një përgjigje për Albanian Post, nga kjo organizatë kanë mohuar kategorikisht se ndonjë person i caktuar ka ndikuar në përfitimin e këtyre mjeteve, në këtë rast i deputetit Abrashi.

“Ne nuk kemi nevojë për ndikim nga asnjë politikan dhe nga asnjë parti politike në vend për të përfituar mbështetje financiare”, thanë në përgjigjen e tyre.

Mbështetje ata kanë fituar, siç theksuan në përgjigjen e tyre, për shkak të “sukseseve ndërkombëtare”.

Nga kjo organizatë janë të bindur se kanë merituar mbështetjen.

“Autostrada Hangar është e vetmja hapësirë kulturore në qytetin e Prizrenit e cila në vazhdimësi është e hapur për publikun me ekspozitat dhe programet e saj, andaj edhe me shumë meritë e ka përfituar fondin e përkrahjes në kategorinë e parë atë të përkrahjes institucionale nga Ministria e Kulturës”, kanë potencuar ata për AP.

Lidhur me këtë, AP, ka tentuar të marr përgjigje nga deputeti Abrashi, dhe motra e tij, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marr përgjigje.

Kësaj organizate, Ministria e Kulturës, iu ka ndarë 80 mijë euro për vitin 2024, 85 mijë euro për vitin 2025 dhe 90 mijë euro për vitin 2026.

Përfituesit e organizatave që kanë lidhje me pushtetin nuk përfundojnë me kaq. “ODA” është tjetra me plotë 268 mijë euro – 83 mijë euro për vitin 2024, 90 mijë euro për vitin 2025 dhe 95 mijë euro për vitin 2026.

Drejtor në këtë organizatë është Florent Mehmeti, bashkëshorti i Sihana Xhaferit, këshilltares së kryeministrit Albin Kurti.

Në një përgjigje për AP, Mehmeti ka thënë se gruaja e tij nuk ka ndikuar që organizata e tij të jetë përfituese e fondeve.

“Po çfarë të ndikuari ajo ka mundur të prish punë”, ka thënë ai për AP.

“Cila instancë në zyrën e kryeministrit vendos? Nuk është këshilltare e Kurtit drejtpërdrejt ajo. Merret me bashkëpunime Kosovë, Shqipëri”, ka theksuar ai.

Në lidhje me këtë rast, Albanian Post ka dërguar pyetje përmes email-it në zyrën e kryeministrit, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Për formën e shpërndarjes së këtyre mjeteve, përgjigje kanë kthyer nga Ministria e Kulturës.

Ata kanë thënë për AP se procesi nuk ka përfunduar akoma dhe pas shqyrtimit të ankesave do të publikohet lista përfundimtare.

“Ju informojmë se procesi ende nuk ka përfunduar në tërësi. Aktualisht jemi në periudhën e pranimit të ankesave dhe pas shqyrtimit të tyre do bëhet publikimi i listës përfundimtare”, kanë thënë ata.

Ky nuk është rasti i vetëm kur nga thirrjet publike që i bën pushteti, përfitues janë njerëz të afërt me pushtetin.

Nga fondi prej 500 mijë eurosh të destinuara nga Zyra e Kryeministrit për OJQ dhe media të minoriteteve, përfitues i 5 mijë eurove kishte qenë Mentor Barani, vëllai i gruas së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Për shkak të shpërndarjes jo të duhur të këtyre mjeteve, dhe për shkak se ankesat e saj nuk ishin marrë parasysh, kishte dhënë dorëheqje nga zyra për Komunitete, Elizabeth Goëing, këshilltare e kryeministrit Kurti.

Të ngjashme