Lajme
Rrugët janë të pastruara për Ministrinë e Infrastrukturës, por fotografitë tregojnë të kundërtën
Demokracia
20:28 | 10 Janar 2022

Share:

Reshjet e mëdha të borës kanë zënë në befasi Ministrinë e Infrastrukturës dhe shumicën e kompanive të pastrimit që menaxhohen nga kjo ministri përmes tenderëve të dhënë. 

Në magjistralen Prishtinë – Pejë dhe autostradën “Ibrahim Rugova” është vështirësuar qarkullimi dukshëm për shkak të reshjeve të mëdha të borës që ende po vazhdojnë.

Lexues të Demokracia.com kanë dërguar fotografi, ku shihet se rrugët janë vështirë të kalueshme dhe të mbuluara me borë.

Megjithatë, Shefi i Departamentit të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Gëzim Osmani, ka thënë për Demokracia.com se autostrada “Ibrahim Rugova” dhe të gjitha rrugët regjionale janë të kalueshme.

“Kompanitë e pastrimit janë në terren dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme. Asnjë rrugë nuk është e bllokuar. Në të gjitha rrugët është hedhur krip”, ka thënë Osmani për Demokracia.com.

Ai ka dërguar edhe një video në adresë të mediumit, ku shihen kompanitë duke pastruar rrugët rreth orës 19 e 15 minuta.

Megjithatë, gjendja nuk është e njëjtë tani, sipas fotografive që qytetarët i kanë dërguar në Demokracia.com dhe rrugët janë të pa pastruara e të mbuluara me borë.

Po ashtu, nga të dhënat e publikuara në web-faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Për më shumë, shihni pamjet. /Demokracia.com/

Të ngjashme