Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) ka shpallur tender në vlerë minimale prej afro 100 mijë eurosh për intervenim emergjent në Rezidencën Dr. Ibrahim Rugova.
Në specifikat e vendosura në shpalljen e tenderit, MKRS kërkon nga operatorët ekonomik që në tri vitet e fundit të kenë qarkullim së paku prej 190 mijë eurove, shkruan Demokracia.com.
Gjithashtu, kriter tjetër është që operatori ekonomik të ketë kryer me sukses restaurim ose konservim të trashëgimive kulturore në tri vitet e fundit.
“Vlera e kontratave sipas natyrës se paraqitur me lartë duhet të kënë vlerë fiminale 100,000.00 Euro., Një listë (tabelë) e cila paraqet kontratat e punëve të ngjashme(njërën nga to duhet të jetë në restaurim ose konservim ose renovime të objekteve të trashëgimisë kulturore) të përfunduara në 3 (tri) vitet e shkuara për periudhën deri në publikimin e njoftimit për kontratë (Formularit B05), ku specifikohet Data e përfunduar, lloji i punës të përfshirë, pranuesi i punës (autoriteti kontraktues)”, thuhet në njoftim të MKRS-së.
Afati i kohëzgjatjes së kontratës është 90 ditë, ndërsa shuma e parashikuar e kontratës është 99,976 euro.
Tenderi është shpallur një ditë përpara përvjetorit të vdekjes së ish-presidentit, Ibrahim Rugova. /Demokracia.com/