Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të marrë masa ndaj zyrtarit të saj, Labinot Berisha, i cili e rrezikoi komunikacionin në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, duke hyrë sipas dëshmitarëve në të kuqen në semafor dhe duke vozitur në gjendje të dehur.
Zyrtari i MKRS-së këto veprime i kishte bërë derisa po voziste veturën zyrtare të kësaj ministrie, Renault, me targa 3Z-145-17 dhe sipas sipas një përgjigjeje zyrtare të MKRS-së, ai nuk kishte autorizim.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), nuk është njoftuar në rrugë zyrtare për rastin të cilin e keni ngritur ju. Nga mediat jemi njoftuar për këtë rast të proceduar nga Policia e Kosovës. Z. Labinot Berisha aktualisht ushtron detyrën e zyrtarit të logjistikës dhe transportit dhe është përgjegjës për të administruar kërkesat për shërbimet e vozitjes dhe transportit në MKRS. I njëjti nuk ka pasur autorizim për përdorim 24 orë të automjeteve zyrtare. MKRS do të kërkojë nga Policia e Kosovës raportin lidhur me këtë rast dhe do të iniciojë procedurë ligjore ndaj zyrtarit, sipas shkallës së përgjegjësisë dhe natyrës së shkeljes së shkaktuar. Masat janë të përcaktuara në Ligjin Nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik dhe pas analizës së rrethanave e gjendjes faktike do të veprohet për të vendosur ligjshmëri në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për Demokracia.com.
Ngjarja kishte ndodhur pas mesnatës, rreth orës 02:15 të mëngjesit në Fushë Kosovë, afër Kazermës “Adem Jashari”. Siç ka raportuar më herët Demokracia.com, zyrtari Labinot Berisha kishte bërë vozitje të rrezikshme dhe pas ndalimit nga patrulla e policisë, që ishte njoftuar nga dëshmitarët për hyrje në semafor në të kuqen, të njëjtit i ishte bërë matja me alkootest, ku kishte rezultuar i dehur me 1.12 promil alkool në gjak.
Pas ndalimit nga policia, ky zyrtar kishte konfirmuar se punon në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kishte autorizim 24 orë për të drejtuar mjetin zyrtar, me të cilin kishte bërë vozitje të rrezikshme. Megjithatë, Berisha nuk e kishte me vete kartelën zyrtare dhe as fletudhëtimin për veturën zyrtare, për të cilat mësohet se i kishte thënë policisë që i kishte harruar në vendin e punës.
I kontaktuar nga Demokracia.com, Labinot Berisha kishte mohuar se ka hyrë në të kuqen në semafor, por konfirmoi që kishte rezultuar me sasi më të madhe të alkoolit sesa që lejohet.
“Nuk është e vërtetë që kam hyrë në semafor në të kuqen, por kam rezultuar me sasi më të madhe të alkoolit, gjë që më vjen keq për këtë”, ka thënë Berisha për Demokracia.com.
Lidhur me këtë kundërvajtje, Demokracia.com ka mësuar se këtij zyrtari i është shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje në shumën prej 300 euro, masa mbrojtëse 9 muaj dhe 2 pikë negative, si dhe vetura është larguar nga komunikacioni në parkingun më të afërt. /Demokracia.com/