Lajme
Ministria e Gërvallës nuk e sqaron ndërhyrjen selektive në dosjet e 38 punonjësve të saj
Demokracia
15:46 | 21 Mars 2022

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz, i ka trajtuar në mënyrë selektive dosjet e 38 zyrtarëve të saj, duke ua shkelur edhe privatësinë atyre.

Kjo është bërë përmes një auditimi tendencioz, të bërë me kërkesë të vetë ministres Gërvalla-Schwarz, shkruan Demokracia.com.

Ajo ka targetuar qëllimshëm vetëm 38 dosje të punonjësve që janë punësuar në këtë ministri me një konkurs të vitit 2011. Madje, disa prej tyre tashmë edhe janë shkarkuar.

EKSKLUZIVE| Gërvalla po e përdor raportin e zyrtarit të pa sistemuar në MPJD për shkarkime të diplomatëve (Dokumente)

Ndonëse kjo ministri po pretendon se shkarkimet po bëhen në “vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën”, vetë raporti po interpretohet se është bërë në mënyrë të paligjshme.

Ky auditim është bërë nga një ish-zyrtar i Ministrisë së Diasporës, i cili, sipas Sindikatës së MPJD-së, ende nuk është i sistemuar në ministrinë e Gërvallës, shkruan Demokracia.com.

Nga MPJD thonë se Hamdi Bërbatovci është zyrtar i MPJD-së dhe ka akt-emërim për pozitën e auditorit të brendshëm, gjë e cila e obligon që ai të kryejë detyrat që i caktohen me kontratën e punës.

Por, për lejimin e kryerjes së këtij auditimi nga një person që as vetë nuk është ende i sistemuar është shqetësuar edhe Këshilli Ekzekutiv i Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës. Ata kanë kërkuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës që të bëjë monitorimin e emërimeve të paligjshme në pozitat udhëheqëse në MPJD.

Demokracia.com ka publikuar ditë më parë edhe kërkesën e kësaj sindikate drejtuar KMSHCK-së, ku ata kërkojnë që të mbrohet ligjshmëria e institucionit, duke parandaluar lëvizjet e nëpunësve civil pa asnjë procedurë dhe kriter.

“Menaxhmenti i lartë në vitin 2021, ende pa miratuar rregullore të veçantë për rikonstrukturimin e ish Ministrisë së Diasporës në MPJ, ka filluar sistemimin e zyrtarëve të ish-diasporës në MPJ, pa asnjë bazë ligjore dhe pa asnjë kriter në pozitat si: Drejtor i përgjithshëm të Akademisë Diplomatike, zv. i Sekretarit të Përgjithshëm; udhëheqës të Burimeve Njerëzore; zyrtar i lartë për trajnim dhe zhvillim; udhëheqës të Divizionit për Buxhet dhe Financa; lejimi i qasjes së auditimit në Divizionin e Burimeve Njerëzore të MPJ-së nga udhëheqësi i auditimit të ish-diasporës pa u bë sistemimi, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në kërkesën e kësaj sindikate të siguruar nga Demokracia.com.

Sindikata e sheh shumë shqetësuese të bëhet auditimi për diplomatët e Kosovës nga persona ende të pa sistemuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Në bazë të paragrafit 1,2,3,4,5,6 të nenit 54 të Ligjit për Zyrtarët Publik ceket se ristrukturimi bëhet kur krijohet një komision për ristrukturimin e zyrtarëve në pozita të lira dhe i veçantë. Qeveria me propozimin e ministrisë përgjegjëse për administratë publike, me akt nënligjor miraton procedurat e hollësishme për risistemimin e nëpunësve civil për shkak të shuarjes apo ristrukturimin, si dhe përbërjes së hollësishme të komisionit. Andaj, kërkojmë nga KPMK të bëjë monitorimin e të gjitha këto emërime të cilat u janë dhënë ish-zyrtarëve të ish Ministrisë së Diasporës edhe pse sindikatat vazhdimisht ka reaguar tek menaxhmenti i lartë”, thuhet në kërkesën e tyre.

Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës i janë dashur disa ditë për të kthyer një përgjigje lidhur me këtë çështje.

Ndonëse zyrtari, i cili e kishte kryer auditimin, nuk kishte qenë vetë i sistemuar mirë pas shkrirjes së Ministrisë së Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ata thonë se ky auditim është bërë në mënyrë të rregullt dhe ligjore.

MPJD e mohon se 38 zyrtarët e audituar janë përzgjedhur nga vetë Gërvalla-Schwarz me bashkëpunëtorët e saj nga diaspora.

“Referuar pyetjes rreth përzgjedhjes së 38 dosjeve, na lejoni të ju informojmë se ekzaminimi i sistemeve dhe përzgjedhja e mostrave për auditim, ashtu si gjithmonë edhe në këtë rast është bërë në përputhje të plotë me Standardet Ndërkombëtare për Praktikën Profesionale të Auditimit të Brendshëm, si dhe Metodologjinë e Auditimit të Brendshëm në Praktikë, e miratuara nga Ministria e Financave”, është thënë në një përgjigje të MPJD-së për Demokracia.com.

Nga kjo ministri madje thonë se nuk është obligim ligjor njoftimi i zyrtarëve lidhur me auditimin e brendshëm, ngase qëllimi i auditimit nuk është individi, por auditimi i sistemeve të brendshme.

Këtë konstatim e thotë pikërisht ministria, që sapo është nxjerr ky auditim, iu ka “qepuar” menjëherë individëve.

“Gjatë rishikimit për administrimin e dosjeve nga njësia për burime njerëzore, njësia e auditimit të brendshëm ka vepruar në përputhje të plotë me Ligjin për Zyrtarët Publik dhe Rregulloren përkatëse për qasje në dosje”, thuhet tutje në përgjigjen e kësaj ministrie për Demokracia.com.

Ndër të tjera nga kjo ministri janë marrë pak edhe me shkrimin e Demokracia.com me titull: “Gërvalla po e përdor raportin e zyrtarit të pa sistemuar në MPJD për shkarkime të diplomatëve (Dokumente)”.

Ata kanë mohuar se njësia e Auditimit të MPJD-së, nuk ka audituar dosjet dhe mënyrën e pranimit në punë të 11 zyrtarëve të larguar nga MPJD me datë 16 mars 2022, por nuk kanë dhënë asnjë sqarim se me çfarë baze janë shkarkuar këta zyrtarë.

“Raporti i auditimit të cilit i referohet teksti i juaj, është raport i vitit të kaluar dhe që lidhet vetëm më pozitat e zëvendësuesve ose ushtrues detyre të drejtorëve dhe udhëheqësve brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe çështjet tjera nga fusha e burimeve njerëzore si sistemimi pas kthimit nga misioni, inventarizimi i dosjeve”, kanë thënë nga MPJD për Demokracia.com.

Madje, ministria e Gërvallës i ka dhënë vetes të drejtë që të japë edhe leksione gazetarie, duke na treguar se duhet të dërgojmë pyetje për çështjet që i trajtojmë, gjë që bëhet në vazhdimësi nga Demokracia.com, për të cilat ky institucion nuk kthen gati kurrë përgjigje.

“Duke uruar e besuar se qëllimi edhe i redaksisë së juaj, ashtu si i MPJD-së, është që të informojë drejt, ne ju lutemi me mirëkuptim që për çdo temë që keni në lidhje me Ministrinë, të drejtoni pyetje tek ne. MPJD është e hapur dhe transparente për secilin proces që është në interes të së mirës së përgjithshme dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e MPJD-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme