Ministria e Drejtësisë ka realizuar një tender me negociim pa publikim të njoftimit për kontratë, për përfaqësim në dy raste të reja në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, shkruan Demokracia.com.
Rastet kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe Republikën e Kosovës si palë të paditura. Tenderi mban titullin: “Shërbime të arbitrazhit për përfaqësimin e Republikës së Kosovës dhe AKP-së”, dhe është zhvilluar përmes negociatave me tri kompani ndërkombëtare.
Pas këtyre negociatave, është rekomanduar për kontratë kompania Zeiler Rechtsanwälte GmbH, një firmë ligjore me seli në Vjenë të Austrisë, e specializuar në zgjidhjen e kontesteve, arbitrazhin ndërkombëtar, si dhe çështje që lidhen me ndërtimin, energjinë, teknologjinë, sigurimet dhe të drejtën e punës.
Vlera e kontratës kap shumën prej 1.5 milionë euro.
Objekt i kontratës janë dy raste të arbitrazhit:
- Përfaqësimi i AKP-së në rastin e padisë së “Agrokosova Holding” dhe “QMI – Qendra e Mobileve Italiane” SH.P.K.
Rasti ka të bëjë me kërkesën për arbitrazh të ngritur nga këto dy kompani kundër AKP-së, në lidhje me tërheqjen e aksioneve të ndërmarrjes “Agrokosova Holding” dhe vendosjen e saj nën administrim të AKP-së. - Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në rastin e padisë së kompanive “Suhareka Verari sh.p.k.” dhe “Prorena”
Rasti është regjistruar me nr. 29291/HBH dhe, sipas njoftimit të tenderit, po zhvillohet sipas rregullave të arbitrazhit ndërkombëtar.
Rasti i parë: AKP vs. Agrokosova Holding
Më 31 janar 2022, Bordi i AKP-së kishte vendosur që të tërheqë aksionet e ndërmarrjes “Agrokosova Holding” dhe t’i vendosë ato nën administrimin e saj. Me këtë vendim, AKP kishte obliguar menaxhmentin të kërkonte nga blerësit kthimin e mjeteve të shpronësimit, të paguara më parë nga Qeveria e Kosovës për nevojat e autostradës.
Më 3 shkurt 2022, AKP, e shoqëruar nga Policia e Kosovës, kishte marrë nën administrim ndërmarrjen “Agrokosova Holding”.
Për këtë çështje, më 24 shkurt 2022, paditësit kishin dorëzuar padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DhPGjS), duke kërkuar anulimin e vendimeve të AKP-së dhe kthimin e ndërmarrjes në posedim të tyre. Fillimisht, Kolegji i Shkallës së Parë refuzoi kërkesën për masë sigurie, por Kolegji i Apelit më vonë e aprovoi atë dhe urdhëroi që ndërmarrja t’u kthehej paditësve.
“Agrokosova Holding”, ish-NBI Suhareka, ishte privatizuar më 27 gusht 2007 nga Gruppo Vinicolo Fantinel dhe QMI, përmes metodës së Spin Off-it Special, në një vlerë prej 4.17 milionë euro. Marrëveshja përfshinte zotimin për investime prej 8.6 milionë eurosh brenda dy viteve, dhe punësimin e 345 punëtorëve.
AKP thotë se nga viti 2011 deri më 2013 ka shqiptuar ndëshkime financiare në vlerë prej 3.57 milionë euro për mosrespektim të zotimeve nga blerësi – ndëshkime për të cilat ende nuk ka vendim përfundimtar.
Tashmë, rasti ka kaluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Rasti i dytë: Suhareka Verari sh.p.k. & Prorena vs. Republika e Kosovës
Sipas dokumentacionit të tenderit, rasti i dytë përfshin padinë e dorëzuar nga kompanitë Suhareka Verari sh.p.k. dhe Prorena kundër Republikës së Kosovës në një tribunal ndërkombëtar arbitrazhi. Ky rast është i regjistruar me numrin 29291/HBH.
Deri më tani, nuk ka pasur raportime në mediat vendore lidhur me këtë kontest konkret.
Ministria e Drejtësisë, përmes buxhetit vjetor, ndan qindra mijëra euro çdo vit për mbrojtjen e interesave të shtetit në rastet e arbitrazhit ndërkombëtar. /Demokracia.com/