Lajme
Ministria e Arsimit ia jep 300 mijë euro kompanisë “Dukagjini” për blerjen e Abetares
Demokracia
21:37 | 29 Gusht 2022

Share:

Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci, ka shpenzuar afro 300 mijë euro për blerjen e Abetares. Këto para kanë shkuar në kompaninë  “Dukagjini”, e cila ka bërë shtypjen e 26 mijë librave të tilla.

Kanë mbetur edhe tri ditë deri kur zyrtarisht do të duhej të niste mësimi dhe të hapeshin shkollat në Kosovë. Por, fatkeqësisht, kjo nuk pritet të ndodhë, pasi në shkolla do të ketë grevë, e cila është shpallur më 25 gusht nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

Edhe pse situata është e tillë dhe nuk dihet kur do të hapen shkollat, abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri është shtypur dhe është bërë gati për nxënësit e klasës së parë, shkruan Demokracia.com.

Botimin e këtij libri e ka bërë kompania “Dukagjini”.

Në njoftimin që është shpallur në KRPP është treguar se Ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci ka shpenzuar afro 300 mijë euro për blerjen e Abetares nga kompania “Dukagjini”.

Sipas dosjes së tenderit nga kjo kompani janë shtypur 26 mijë libra të tillë.

“Blerja e tekstit shkollor abetare për vitin shkollor 2022-2023. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët: 295 526,70. Fituese kompania Dukagjini Sh.p.k. Janë shtypur 26 mijë e  915 copë libra”, thuhet në dosjen e tenderit, përcjell Demokracia.com.

Ditë më parë është raportuar në media se abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri ka filluar të shpërndahet dhe janë zbuluar disa pamje të saj.

Sipas kompanisë “Dukagjini”, kjo abetare ka nisur të shpërndahet në shkollat e fshatrave të vendit, derisa abetarja e përbashkët do të shpërndahet gjatë fundjavës në shkollat e kryeqytetit.

“Ne kemi pasur kujdes, sepse kalendari i fillimit të vitit shkollor nuk është i njëjtë në Kosovë dhe Shqipëri dhe kemi kërkuar që puna të përfundojë me herët, në mënyrë që Abetarja të jetë e gatshme për 1 shtator, kur edhe zyrtarisht fillon mësimi në Kosovë”, ka deklaruar zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, për Radio Kosovën.

Kurse, Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri ka njoftuar se viti i ri shkollor do të fillojë me Abetaren e Përbashkët Unike.

Sipas kësaj ministrie, Abetarja e Përbashkët Unike tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi.

“Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t’u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor. Nuk mund të nisnim më mbarë sesa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi. Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës”.

Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri është rezultat i mbledhjes dhe marrëveshjes së dy qeverive, në nëntor të vitit 2021.

Kjo abetare do të jetë e dyta pas vitit 2012, kur ishte përzgjedhur abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri. Abetarja e përbashkët pritet të jetë në duart e nxënësve më 1 shtator 2022.

Shtëpitë botuese ‘Pegi’ nga Shqipëria dhe ‘Dukagjini’ nga Kosova ishin shpallur fituese të konkursit për botimin e Abetares së përbashkët, mbarëkombëtare.

Përzgjedhja e shtëpive botuese fituese është bërë më 31 maj dhe ka pasur një periudhë prej 15 ditësh për ankesa.

Më 28 janar të vitit 2022, Ministria e Arsimit në Kosovë dhe në Shqipëri kishin hapur thirrjen për aplikim në konkursin për tekstin e vetëm të përbashkët “Abetare”, të shoqëruar me fletoren e punës.

“Një gjuhë, një Abetare… Pas një pune të përbashkët të Komisionit për organizimin e konkursit për Abetaren e re, Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot kanë hapur thirrjen për aplikim në konkursin për tekstin e vetëm të përbashkët ‘Abetare’, të shoqëruar me fletoren e punës”, kishte shkruar ministrja Arbërie Nagavci përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Abetarja mbarëkombëtare ishte promovuar si ide në takimin e përbashkët mes dy qeverive në Prizren, nga kryeministri i atëhershëm shqiptar Sali Berisha dhe ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Teksti fitues për abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë ishte përzgjedhur më 24 prill të vitit 2012./Demokracia.com/

Të ngjashme