Lajme
Ministria e Albulena Haxhiut e vazhdon bashkëpunimin me kompaninë që u kap duke futur drogë në burg
Demokracia
17:56 | 25 Tetor 2022

Share:

Një sasi e konsiderueshme pilulash të dyshuara si ekstazi dhe një sasi mariuhanë janë kapur, pak para se të futeshin në burgun e Dubravës, në kamionin e firmës “Hajdini Comerc” pronë e biznesmenit Musaj Leku. Për këtë rast Prokuroria e Pejës po e mban në burg shoferin e kamionit, por një video që e ka siguruar Insajderi zbulon se drogën aty e ka futur një person tjetër. Edhe mbi një muaj pas këtij rasti, Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Ministrja Albulena Haxhiu nuk e ka ndërprerë kontratën me këtë kompani, derisa në Prokurori nuk pranojnë që të tregojnë se as pas kësaj kohe a e kanë identifikuar personin që e fut drogën në kamion, ani pse ai nuk bartë as maskë e as dorëza.

Më 13 shtator të këtij viti organet e rendit parandaluan futjen e një sasie droge, kryesisht mariuhanë e pilula të dyshuar si ekstazi e mallra të tjera. Ato ishin duke hyrë në burgun e Dubravës.

Për këtë, Prokuroria që nga ajo datë po mbanë nën arrest shoferin e kamionit, Haxhi Topalli, që drejtonte një kamion të firmës “Hajdini Comerc”, kontraktor i Qeverisë për furnizim të burgjeve në Kosovë.

Por, edhe pse Toplalli po mbahet në paraburgim që nga ajo datë, Insajderi nga burime brenda Prokurorisë ka zbuluar se ky institucion tashmë e ka një të dyshuar tjetër që e kishte futur lëndën narkotike në pjesën e pasme të kamionit në mbrëmjen e 12 shtatorit.

Në mëngjesin e 13 shtatorit, atë kamion të “Hajdini Comrc” të ngarkuar pos me mallra të lejuara, edhe me një sasi prej mbi 200 pilulash të dyshuara si ekstazi, do ta voziste shoferi Haxhi Topalli.

Një muaj më vonë, vetëm disa orë pas raportimit të Insajderit, Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte dalë me një komunikatë për këtë rast. As datë nuk i kishte vënë se kur ka ndodhur rastin, vetëm e kishin propaganduar si sukses i parandalimit të futjes së kontrabandës në burg.

Edhe Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e shpërndau këtë komunikatë në faqen e saj në Facebook me të njëjtin përshkrim. “Parandalohet futja e kontrabandës në Qendrën Korrektuese në Dubravë!”, kishte shkruar Haxhiu, por pa sqaruar se rasti ishte i mbi një muaji më herët dhe u bë publik vetëm pasi që Insajderi raportoi për të.

“Me të pranuar informacionin, i menjëhershëm ka qenë reagimi i menaxhmetit të QKD-së, i cili ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç` rast në tunelin e Portës së Re të hyrjes së qendrës kanë lokalizuar Automjetin Transportues të kompanisë së kontraktuar për furnizime të kantinave në SHKK”, thuhet në komunikatën e ShKK-së mbi një muaj pas rastit, por nuk përmendet emri i kompanisë “Hajdini Comerc”.

Ministria e Drejtësisë e vazhdon bashkëpunimin me “Hajdini Comerc”

Insajderi e ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë për këtë rast, dhe për masat që janë marrë eventualisht kundër kompanisë në fjalë.

“Aktualisht, Prokuroria Themelore në Peje është duke zhvilluar hetimet dhe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë lidhur me  rastin:, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MD-së.

Tutje nga kjo ministri i kanë thënë Insajderit se ata do të marrin masa, por jo që kanë marrë deri tash.

“Jo vetëm për këtë Kompani, por për cilëndo kompani tjetër që ne kemi informacion, e që janë të përfshirë në kontrabandë, ne menjëherë do të shkëpusim kontratën dhe do të ndërmarrim veprimet ligjore”, thuhet në përgjigjen e parë të MD-së.

Pas sqarimeve të kërkuara nga Insajderi, nga Ministria e Drejtësisë kanë konfirmuar që pavarësisht rastit, ata po e vazhdojnë bashkëpunimin me kompaninë “Hajdini Comerc”.

“Në momentin që do të njoftohemi nga prokuroria se kompania në fjalë është në hetime, ne do t’ia shkëpusim kontratën”, thuhet në përgjigjen shtesë të MD-së.

Gazeta Insajderi e ka pyetur edhe kompaninë “Hajdin Comerc” për një koment në këtë rast, por pronari i saj, Musaj Leku përmes telefonit ka thënë që derisa rasti është nën hetime, ata nuk pranojnë që të flasin.

Pas raportimit të Insajderit Ministrja Haxhiu e ShKK dalin me komunikatë për rastin e drogës në burg, nuk e përmendin kompaninë ‘Hajdini Comerc’

A po e kërkon Prokuroria personin që e futi drogën në kamionin e “Hajdini Comerc”?

Prokuroria Themelore në Pejë që nga 13 shtatori 2022 në paraburgim po kërkon që të mbahet vetëm shoferi i kamionit që u kap duke tentuar që të fuste drogë e mallra kontrabandë në burgun e Dubravës.

Një video që e ka siguruar Insajderi shfaq që një natë më parë, drogën e mallrat e tjera kontrabandë në kamion i futi një person krejt tjetër. Ai shihet që nuk mban as dorëza e as maskë madje.

Edhe mbi një muaj më vonë, në Prokurorinë e Pejës refuzojnë që të tregojnë se a e kanë identifikuar këtë person. Ata refuzojnë të përgjigjen edhe se pasi që i njëjti nuk ka bartur dorëza, a janë gjetur shenjat e gishtërinjve të tij në qesen që e fut në pjesën e pasme të kamionit.

Nuk kanë treguar edhe se a e kanë identifikuar përmes videos.

Në Prokurorinë Themelore në Pejë kanë refuzuar që të tregojnë edhe se a është intervistuar dikush nga kompania “Hajdini Comerc”, apo edhe dikush nga gardianët që kanë qenë në momentin e kapjes së mallit me destinim kontrabandimin brenda burgut të Dubravës.

“Prokuroria Themelore në Pejë kundër të dyshuarit të caktuar ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 par. 1 pika 1.8 të KPRK-së dhe për momentin jemi në marrjen e veprimeve intensive hetimore për të cilat nuk mund të deklarohemi në këtë fazë të procedurës. Për zhvillimet e mëtutjeshme do të njoftoheni me kohë”, kjo është përgjigja e vetme që kanë dhënë nga kjo Prokurori.

Kompania “Hajdini Comerc” e Musaj Leku në vitin 2018 u angazhua nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në tenderin “Furnizim me mallra ushqimore për te burgosur – kantinë”. Kjo kontratë, ishte planifikuar që të ishte mbi 1.8 milionë euro.

Të ngjashme