Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka konfirmuar se 26 bashkatdhetarë të përfshirë në aksidentin në Kroaci, janë liruar nga spitali. Ai shtoi se sot po pritet kthimi i tyre në Kosovë.
Vitia përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se dy pacientë janë njësinë intensive, ndërsa një është në gjendje të rëndë, përcjell Demokracia.com.
“Ngushëllime të gjithë familjarëve dhe qytetarëve të Republikës për humbjen e jetës së dhjetë bashkëqytetarëve tanë në këtë aksident tragjik dhe shërim sa më të shpejtë për pacientët, duke siguruar se Qeveria do të qëndroj vazhdimisht pranë për të lehtësuar sadopak dhimbjen në këto momente të vështira për të gjithë ne”, ka shkruar tutje ai.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Të dashur bashkatdhetarë,
Këto ditë së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme z. Xhelal Sveçla kemi ndjekur nga afër situatën me bashkatdhetarët tanë të lënduar nga aksidenti tragjik .
Pas diskutimeve të fundit me menaxhmentin e spitalit ne Sllavonski Brod dhe Ministrin e Shëndetësisë Vili Berosh, tani më janë liruar 26 bashkatdhetarë të cilët ndihen mirë dhe janë vendosur në ambiente të përshtatshme. Sonte po përgatitet kthimi i tyre në Kosovë.
Për momentin në spitalin e Sllavonski Brodit janë ende të shtrirë 15 bashkatdhetarë nga të cilët dy në njësinë intenzive dhe një prej tyre është ende në gjendje të rëndë.
Të tjerët janë stabil dhe jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa një pacient që ishte dërguar në spital në Zagreb, është në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Gjatë ditës së sotme priten edhe lirime të tjera.
Falenderime pafund personelit shëndetësor ne spital dhe autoriteteve kroate për angazhimin dhe reagimin e shpejtë në ndihmën e ofruar për bashkatdhetarët tanë.
Ngushëllime të gjithë familjarëve dhe qytetarëve të Republikës për humbjen e jetës së dhjetë bashkëqytetarëve tanë në këtë aksident tragjik dhe shërim sa më të shpejtë për pacientët, duke siguruar se Qeveria do të qëndroj vazhdimisht pranë për të lehtësuar sadopak dhimbjen në këto momente të vështira për të gjithë ne./Demokracia.com/
https://www.facebook.com/arben.vitia.3/posts/4723233251039694