Lajme
Ministri ukrainas i Mbrojtjes: Shumë nga ata që do ta pushtonin Kievin për 2-3 ditë, tash janë në ferr
Demokracia
17:37 | 01 Mars 2022

Share:

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov pasi kryesoi dje delegacionin e Ukrainës në bisedimet me Rusinë është kthyer menjëherë në vendin e tij, duke u ribashkuar me të tjerët në mbrojtjen e vendit.

Ai po i motivon ushtarët e tij edhe pas 128 orësh luftime në mbrojtje të vendit. “Shumë nga ata që prisnin ta pushtonin Kievin për 2-3 ditë tashmë janë në ferr. Le t’i mbajmë armët fort! Vazhdojmë rezistencën! Lavdi Ukrainës!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook, ku i ka publikuar disa fotografi.

Reznikov i ka udhëhequr luftimet kundër forcave ruse në vendin e tij që prej të enjtes e javës së kaluar, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Ministri, i cili vazhdimisht shprehet se Ukraina po e fiton luftën, u nda pak nga ushtarët tjerë për të marrë pjesë në takimin e delegacionit të udhëhequr prej tij me delegacionin e Rusisë.

As dje, kur atij i është dashur t’i lë bashkëluftëtarët për pak dhe të dalë përballë të dërguarve të Putinit për të biseduar, nuk u duk më diplomat. Në një video të publikuar, ministri ukrainas u duk plot vetëbesim.

 

Para dy ditësh, Reznikov e publikoi një fotografi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në të cilën të dy u dukën të buzëqeshur e në disponim të mirë.

Fotoja u shkrep dhe u publikua pas 85 orësh luftime, ndërsa ministri ukrainas kishte shkruar disa rreshta emocionues mbi fotografinë.

“Pasnesër, vjen pranvera. Ukraina do të fitojë. Ajo tashmë po fiton! Armiku që erdhi në tokën tonë do të shkojë në drejtim të njohur”, kishte shkruar ai ndër tjerash.

 

Të ngjashme