Lajme
Ministri Peci “koprrac” për investime kapitale, dorështrënguar edhe ministrat tjerë
Demokracia
20:17 | 13 Dhjetor 2023

Share:

Ministria e Bujqësisë në krye me Faton Pecin, nga janari e deri në shtator të këtij viti nuk ka shpenzuar asnjë cent për investime kapitale nga buxheti i dedikuar për të.

Hiç më mirë në fushën e investimeve kapitale nuk kanë qenë as kolegët e tij ministra.

Në total, ministritë nuk kanë shfrytëzuar as gjysmën e mjeteve të parapara.

Monitoruesit e punës së Qeverisë nga Instituti GAP vlerësojnë të pakënaqshme performancën e Ekzekutivit.

“Ministria e Bujqësisë e ka 0% shpenzimin e mjeteve nga kapitalja ose Ministria e Financave e ka 6%, Shëndetësia e ka 8%. Kultura 10%, Arsimi 27%. Pra, është një përqindje relativisht jo e kënaqshme e shpenzimeve të mjeteve nga investimet kapitale”, ka deklaruar Bekim Salihu nag GAP.

Sipas Bekim Salihut, tek këto përqindje negative problemi më i madh qëndron në bashkëpunimin mes operatorëve ekonomik dhe institucioneve kontraktuese.

“Pjesa dërrmuese e mjeteve kapitale të cilat nuk shpenzohen, kontraktohen mirëpo për shkak të procedurave të prokurimit publik dhe shpenzimit të parasë publike ato nuk mund të ekzekutohen pa një përqindje të kryerjes së punës në terren pra kemi të bëjë me ngecje të kryerjes së punës në terren por jo edhe me ngecje të lidhjes së kontratave për kryerjen e atyre punëve”, ka deklaruar ai.

Në ndërkohë, anëtari i komisionit parlamentar për Buxhet nga AAK-ja, Pal Lekaj, parashikon performancë të njëjtë të ministrive edhe vitin e ardhshëm.

“Siç e kemi parë për këto vite mendoj që edhe viti 2024 do të ketë të njëjtin ritëm të shpenzueshmërisë të parasë publike dhe keqmenaxhimit sepse nëse për tre vite kta kanë shkuar diku mesatare 20% të shpenzueshmërisë në investime kapitale atëherë për një vit nuk mund të shpenzojnë para dhe t’i përmbushin kërkesat e qytetarëve”, ka deklaruar Lekaj.

Televizioni ka provuar të marrë një vlerësim edhe nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, që është kryetar i Komisionit, por ai ka qenë i paqasshëm.

Më e suksesshme në shpenzimin e parasë publike për investime kapitale ka qenë Ministria e Diasporës.

Këto investime kryesisht kanë të bëjë me blerjen e ambasadave, vetura për ambasada dhe renovim të objekteve të tyre.

Të ngjashme