Lajme
Ministri Peci “kampion”: Pse duhet të shqetësohemi prej mungesës së investimeve kapitale nga ministrat e Kurtit?
Demokracia
08:59 | 14 Nëntor 2023

Share:

Investimet kapitale e rrisin ekonominë e Kosovës. Na bëjnë më të pasur – ose na i rrisin mundësitë që të bëhemi më të pasur – të gjithë neve. Por, Qeveria e Kosovës po tregohet ekstremisht dorështrënguar. Që jo dorështrënguar atëherë e padijshme. Çka duhet të dini për këtë tregim investimesh?

Në nëntë muajt e parë, shifrat janë vërtet të frikshme. Unë për vete kam frikë. Shifra tepër tepër të vogla.

A e keni parë Faton Pecin, ministrin e Bujqësisë nëpër ara? Eh, ministri Peci dhe ministria që ai drejton – Ministria e Bujqësisë – janë kampionë të mungesës së investimeve kapitale. Zero është përqindja e Faton Pecit. ZERO pikë diçka.

Nga gati 6 milionë euro sa i ka për të shpenzuar në investime kapitale, ministria e Bujqësisë i ka shpenzuar veç 20 mijë. Në vend se ta shihnim Faton Pecin si ministër derisa kërkonte më shumë para për investime kapitale, ne e kemi Faton Pecin që i shpenzon vetëm zero pikë diçka.

Ngjashëm është edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ajo e ka një buxhet prej 5.3 milionë eurove, por s’e ka shpenzuar asnjë cent. S’ka projekt të nisur ndërkohë që mjetet i ka ndarë vetëm si zotime, shkruan Nacionale.

I lodhët në shpenzimin e buxhetit për investime kapitale – pra, në ato investime që populli ia sheh hairin konkretisht, direkt – është edhe Hekuran Murati i Ministrisë së Financave. Kur vjen puna te paret, Murati del gati përditë e bën zhurmë por sa i përket investimeve kapitale kemi vetëm heshtje.

22.2 milionë euro për investime kapitale i kishte ministria e Financave. I shpenzoi vetëm 1.4 milionë. Vetëm 6 për qind.

E ndërkohë, këqyreni ministrinë e Ekonomisë. Me një buxhet për investime kapitale prej 32.8 milionë eurove, janë shpenzuar vetëm 2.2 milionë. Vetëm 7 për qind.

Ministria e Shëndetësisë me buxhet prej 23.7 milionë eurove i ka shpenzuar veç 1.8 milionë apo veç 8 për qind. Ministria e Kulturës dhe Sportit veç 3.2 milionë, apo 10 për qind. E e pamë dje, në stadiumin Fadil Vokrri të mbuluar nga lloçi që nevoja për investime është e madhe.

Mund ta mendoni se Rozeta Hajdari e aferës së vajit mund të ketë shpenzuar më shumë edhe shkaku i aferës së vajit. Gaboheni! Ministria e saj e ka shpenzuar vetëm 13 për qind të buxhetit të ndarë për investime kapitale.

Në këtë pikë le të përmendim edhe nja dy shembuj të mirë. Njëra është ministria e Punëve të Jsahtme e drejtuar nga Donika Gërvalla, që i ka shpenzuar 60 për qind. Siç e kemi parë, Kosova është bërë me disa ambasada të reja. Ndërkohë, ministria e Punëve të Brendshme I ka harxhuar 44 për qind. I kemi parë edhe do drona. Pra, gjëra të mira.

Por, në përgjithësi qytetarët e Kosovës duhet të kenë frikë. Duhet të shqetësohen. Qindra e qindra projekte nga ministritë e vendit as nuk janë nisur. Projekte që janë paraparë për këtë vit, 2023. Ndërkohë, vitit I kanë mbetur veç edhe një muaj e gjysmë për t’u kryer.

Kjo është koha kur Qeveria e Kosovës do të duhej të fuste më shumë se kurrë para në ekonomi – përmes investimesh kapitale – në mënyrë që të rritej produktiviteti, konsumi e qarkullimi i parasë në vendin tonë që ende po i vuan pasojat e pasigurisë dhe vështirësive të dy viteve të fundit për shkak të krizave të ndryshme.

Të ngjashme
Lajme • 11 Maj 2024