Lajme
Ministri Maqdonci gënjeu Komisionin Parlamentar, në takim me të dhe Dejona Mihailin ishte prezent edhe Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së, Kujtim Shala
Demokracia
17:32 | 12 Shkurt 2024

Share:

Me 29 tetor 2023 ishte publikuar një lajm nga mediat në Kosovë se Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, është takuar në një restorant me Dejona Mihailin e Vetëvendosjes dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajetin, por Maqedonci e kishte mohuar të ketë qenë Ajeti në takim.

Ai është pyetur sërish këtë të hënë në Komision Parlamentar se me kë është takuar atë ditë, por ka gënjyer për personat, duke thënë se përveç Mihailit në takim ishte “një dajë i imi dhe një shok”.

Albanian Post ka kuptuar nga burime brenda AKI-së se personi që Maqedonci i referohet si “shok” ishte hiq më pak se Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së, Kujtim Shala.

Shala erdhi në këtë pozitë në dhjetor të vitit 2022.

Shala, siç kupton Albanian Post, është mik i ngushtë i Drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, i cili po ashtu ishte emëruar nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, në prill të vitit 2021.

AP ka kuptuar edhe për bisedën e takimit në mes të Mihalit, Shalës dhe Maqedoncit.

Albanian Post gjithashtu mëson nga burimet se kryeinspektori Shala, në shpërputhje me rregulloren dhe në koordinim me drejtorin Ajeti, ka filluar të bëjë inspektimin e të gjitha prokurimeve nga themelimi i AKI-së e deri sa kanë ardhur ata nëpër pozita kyçe.

Në anën tjetër, AP kupton edhe se në konkursin e fundit në AKI janë punësuar një numër i madh militantësh të Lëvizjes Vetëvendosje dhe familjarë të anëtarëve të kësaj partie.

Kryesisht punësimet kanë qenë për pozita të hetuesve të terrenit.

Mediumi merr vesh se Ajeti dhe krye-inspektori Shala kanë njohje të vjetra dhe miqësi të kamotshme.

Maqdonci, i pyetur nga Komisioni Parlamentar për takimin me Mihailin, në asnjë moment nuk ka treguar se edhe kush tjetër nga zyrtarë të institucioneve ishte në takim, duke mashtruar kështu nën betim.

Ai madje tha se takimi ishte i rastësishëm me Mihailin në një restorant në pjesën e Gërmisë.

Sipas ligjeve të Kosovës, me Kodin Penal, neni 391 “deklarimin e rremë nën betim” e dënon deri me 3 vjet burgim. Në rrethana specifike deri me 5 vjet burgim.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, Neni 391 “kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim ose betimet dhe pastaj nënshkruan dëshminë nën betim ose deklaron diç që nuk beson se është e vërtetë ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”.

Sipas të njëjtit kod dënimi mund të shkojë edhe deri në 5 vjet burgim nëse “deklarata nga paragrafi 1. i këtij neni është dhënë gjatë procedurës penale”.

Të ngjashme