Lajme
Ministri izraelit kundër Netanyahut: Izraeli duhet të shkojë në zgjedhje
Demokracia
23:12 | 03 Prill 2024

Share:

Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz, i ka kërkuar kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahut që të angazhohet për mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare gjatë këtij viti.

“Ne duhet të biem dakord për një datë për zgjedhjet në muajin shtator”, tha ai gjatë një konference, raporton skynews.

Gantz tha se caktimi i një date do të lejonte Izraelin të vazhdojë operacionin ushtarak “ndërsa u sinjalizon qytetarëve të Izraelit se së shpejti do të rinovojmë besimin e tyre tek ne”.

Yair Lapid, lideri i opozitës në Izrael, dukej se mbështeti thirrjen e Gantzit në një mesazh në platformën X, ku ai e quajti udhëheqjen aktuale izraelite “qeverinë më të keqe, më të rrezikshme dhe të dështuar në historinë e vendit”.

Megjithatë, në një deklaratë, partia Likud e Netanyahut tha se Gantz po angazhohej në “politika të vogla” dhe tha se zgjedhjet tani do të çonin në “paralizë”, “ndarje” dhe “dëm”.

Mandati i Netanyahut mbaron në vitin 2026, por mijëra njerëz po protestojnë kundër tij javët e fundit dhe kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Mbrëmë, një grup protestuesish antiqeveritare tentuan të çajnë barrikadat në shtëpinë e kryeministrit izraelit gjatë natës së katërt të demonstratave.

Të ngjashme