Lajme
Ministri i Vuçiqit: I kemi vijat e qarta të kuqe, “por duhet lënë pak hapësirë për manovrim”
Demokracia
13:53 | 14 Mars 2023

Share:

Ministri serb i mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka pretenduar se “referimi në Kartës së OKB-së në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në favor të Serbisë”.

Vuçeviq tha se sipas këtij dokumenti, territori i një vendi nuk mund të ndahet me forcë, duke mos qartësuar se a bëhet fjalë vetëm për territorin e Serbisë apo edhe të Kosovës…

“Karta e OKB-së ka përmbajtjen e saj, ajo nuk mund të ndahet në copa”, ka thënë ministri për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Ai ka thënë se Beogradi zyrtar “e di se ku janë vijat e kuqe në lidhje me Kosovën, por edhe se duhet të lërë “pak hapësirë ​​për manovrim”, duke lënë të nënkuptohet se megjithatë Serbia do t’i shkelë “pak ato vija”, për të cilat ka trumbetuar gjithë këtë kohë me qëllim të mashtrimit të publikut të vet.

“Nuk do të ketë as njohje të tërthortë e as të drejtpërdrejtë. Anëtarësimi i Kosovës në OKB është në kontekstin e njohjes indirekte, “por ne nuk do të lejojmë këtë”. Aleksandar Vuçiq nuk do ta nënshkruajë. Nuk do të ketë aksione të dëbimit të serbëve”, vazhdon Vuçeviq me retorikë boshe.

Ai ka pretenduar se qëndrimet e Serbisë janë të “qarta”, por edhe se politika ndërkombëtare në rrethanat aktuale duhet të jetë e “mençur”, transmeton Paparaci.

“Sot na duhet politika e Millosh Obrenoviqit”, ka thënë Vuçeviq dhe ka shtuar se situata në Kosovë mbetet “kërcënimi më i madh i sigurisë” për Serbinë.

Serbia mbetet në një pozicion neutraliteti ushtarak dhe është i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Ne kemi presion të madh dhe kemi edhe dëme politike dhe ekonomike për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por nuk shoh që pozicioni ynë të ndryshojë”, ka thënë Vuçeviq.

Të ngjashme