Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se sindikatat të cilat po kërkojnë që paga minimale të jetë 400 euro, po e bëjnë këtë për shkak të politikës.
Këto deklarata ai i bëri në RTK, ku mes tjerash cilësoi se kundërshtimi i sindikatave ka qenë joracional, raporton Demokracia.com.
“Nuk kemi gjetë mirëkuptimin e sindikatave, përkundër faktit se asnjë anëtar i bashkimit të sindikatave nuk preket nga kjo pagë minimale. Të gjithë janë punëtorë të sektorit publik, nuk ka në sektor publik pagë nën 250 euro…Në sektorin publik nuk ka këso paga, kundërshtimi i tyre ka qenë joracional dhe është bërë me tepër për teke politike…Nuk do të duhej edhe sindikatat të mundohen të bëjnë politikë”, tha ai.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e ka kundërshtuar miratimin e Projektligjit që i hap rrugë miratimit të pagës minimale në vlerë prej 250 euro neto.
Sipas tyre, paga minimale është vlerë që llogaritet e jo punë dëshirash. Në reagimin e BSPK-së thuhet se propozimi i qeverisë për pagën minimale nuk ka kaluar as në Këshillim Ekonomik Social, raporton Demokracia.com.
“Sindikatat e kanë mandatin që ia jep ligji, të përfaqësojnë interesat e sindikalistëve. Në Takimin e fundit të KES-it, më 10 mars, në votim u hodhën dy propozime për vlerën e Pagës minimale – 264€ dhe 300€, dhe asnjëri nga këto propozime nuk mori vota e duhura – 2/3 e votave. Dhe sot kemi një Pagë minimale e cila është hedh në votim në mbledhjen e fundit të KES-it por nuk ka marrë votat e duhura”, thuhet në reagim.
Qeveria e Kosovës sot ka rritur pagën minimale në 264 euro, nga 130 dhe 170 sa ishte.
Një vendim i tillë është kritikuar shumë nga sindikatat, të cilat vlerësojnë se kjo shumë nuk mbulon shpenzimet elementare, në një kohë kur çmimet e shumë produkteve janë rritur./Demokracia.com/