Lajme
Ministri i Kurtit e sfidon kryeministrin: Serbët nuk heqin dorë nga targat e Serbisë
Demokracia
18:23 | 26 Tetor 2022

Share:

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i ka thënë komandantit të KFOR-it në Kosovë, Angelo Mikel Ristucci, se serbët nuk do të heqin dorë nga targat që përdorin.

Rakiq ka bërë të ditur se me Ristuccin dhe komandantin e bazës “Bondstil” në Ferizaj, Kristofer Samulski ka biseduar për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në ato të Kosovës, për të cilat afati skadon më 31 tetor, transmeton Demokracia.com.

“Është dërguar një mesazh i qartë se serbët nuk do të heqin dorë nga targat që kanë përdorur deri më tani, sepse janë të ligjshme dhe legjitime dhe se ekziston një shqetësim i arsyeshëm për reagimin e mëtejmë të Prishtinës në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Ai vlerësoi se “gjendja e sigurisë është e paqëndrueshme” dhe se, siç shtoi ai, duhet bërë gjithçka që çështjet e hapura të Beogradit dhe Prishtinës të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut, sepse vetëm kështu do të mbështetet zbatimi.

Ai i kërkoi KFOR-it të sigurojë paqen dhe stabilitetin dhe të “bëjë gjithçka për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes”.

Marrëveshja e Brukselit për lirinë e lëvizjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u arrit në vitin 2011 dhe parashikonte që në Kosovë të përdoren vetëm targat e shënuara RKS (Republika e Kosovës) ose KS (Kosovë, status neutrale).

Rakiq është ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme