Lajme
Ministri Çeku: Puna e Rasim Thaçit të dokumentohet dhe të ruhet në kujtesën tonë
Demokracia
12:48 | 28 Mars 2021

Share:

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, pasi bëri homazhe para fotografisë së Rasim Thaçi – Cima, tha se vepra e tij duhet të dokumentohet dhe të ruhet në kujtesë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, me stafin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe me drejtues institucionesh shtetërore të kulturës kanë bërë homazhe para Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke nderuar figurën e artistit Rasim Thaçi – Cima.

Pas homazheve, ministri Çeku tha se i bënë nderimet e merituara figurës së Rasim Thaçit, i cili ishte një nga artistët më të dashur të popullit të Kosovës.

“Ai një kohë ka qenë edhe sportist por përherë ka qenë artist dhe një artist mbase është dalluar me lëvizjet e tij skenike por edhe me mesazhin, i cili në kohëra të vështira, ishte edhe mesazh politik në të njëjtën kohë dhe ky mesazh jepej në situata kur nuk ishte lehtë të bëhej ky lloj aktivizmi, kjo lloj rezistence politike përmes artit dhe humorit.

Çeku tha se si ministri do të kryejnë detyrën që u takon, duke e dokumentuar punën e aktorit, në mënyrë që të ruhet në kujtesën tonë dhe të iu shërbejë gjeneratave të ardhshme.

“Ne si Ministri e Kulturës përveç nderimeve që po i bëjmë, do ta kryejmë edhe pjesën tjetër që na takon dhe lidhet me dokumentimin e punës së tij e punës së tij, të artit të tij, në mënyrë që gjithmonë ta kemi në kujtesën tonë dhe në të njëjtën kohë që ajo t’i shërbej edhe gjeneratave të ardhshme, jo vetëm artistëve por edhe të tjerëve për të kuptuar të kaluarën tonë por edhe për t’u frymëzuar me artin e Rasim Thaçit”, tha ai.

Kurse, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Naser Shatrolli tha se vepra e tij artistike dhe trio e përbashkët i kanë dhënë kuptim jetës dhe shpresës.

“Ai dhe ajo treshja e famshme që kanë qenë së bashku, i kanë dhënë kuptim jetik jetës, gëzimit, shpresës për një ditë më të mirë dhe vërtet kanë pas tekste që kanë sjellë shumë mesazhe të fuqishme në relacion me situatën që ka mbretëruar në Prishtinë dhe kudo në Kosovë, kështu që ata kanë qenë një lloj paralajmërimi ose një lloj pararoje e asaj shpresës së madhe“, ka thënë ai.

Aktori dhe humoristi i njohur, Rasim Thaçi – Cima ndërroi jetë të premten, ndërsa u varros ditën e shtunë në fshatin e tij të lindjes, në Vukovc të Drenasit./Demokracia/

Të ngjashme