Lajme
Ministri Çeku dhe kryetari Rahimaj në foto me një klub që në fanellë ka reklamën e kazinosë ilegale
Demokracia
11:44 | 09 Shtator 2023

Share:

Lojërat e fatit në territorin e Kosovës janë të ndaluara me ligj nga marsi i vitit 2019, por bizneset(kazino) që organizojnë lojëra të tilla në afërsi të territorit të Kosovës vazhdojnë të mbështesin aktivitete që organizohen në territorin e Kosovës.

Në këtë mënyrë një nga këto kazinotë ka mbështetur ekipe të futbollit që kanë marrë pjesë në turneun tradicional “Rogana”, i cili është mbajtur në muajin korrik dje është përcjell nga afër nga autoritet qendrore dhe lokale.

Fituesi këtij turneu për vitin 2023 është ekipi Muhaxhirët nga Rogana, i cili në dresa mbante emrin e një kazino ilegale.

Madje, me këtë ekip që si “sponzor” në fanella kishte kazino ilegale nuk kanë hezituar të dalin në foto as njerëzit e pushtetit.

Në disa foto të këtij ekipi që i ka siguruar gazeta Nacionale shihet i buzëqeshur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Nga fotot duket se atyre nuk u ka bërë fare përshtypje faktin se kazinotë janë të ndalura me ligj në Kosovë.

Prej se kjo veprimtari është ndalur në Kosovë, në pjesën e territorit të komunës së Kamenicës, që është në kufij me Serbinë, vazhdimisht kanë lulëzuar kazinotë.

Një ditë me parë, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Kazinotë e Karaçevës janë bartur në Breznicë të Serbisë.

Sipas këtij mediumi, ka muaj prej se Policia e Kosovës dhe ajo e Serbisë shikojnë nga largësia një aktivitet që zhvillohet në zonën neutrale në vijën kufitare Kamenicë – Bujanoc.

Radio Evropa e Lirë ka bërë me dije se paku shtatë biznese që organizojnë lojëra të fatit, janë ndërtuar në 12 muajt e fundit në atë që njihet si territor neutral në mes të dy fshatrave.

Të ngjashme