Lajme
Ministri Armend Zemaj tregon se ku pritet të bëhet vaksinimi anti-Covid
Demokracia
12:12 | 20 Janar 2021

Share:

Në Kosovë akoma nuk kanë arritur vaksinat anti-COVID, por në Ministrinë e Shëndetësisë po planifikojnë hapësirat se ku do bëhet vaksinimi për qytetarët.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka treguar se dhënia e vaksinës do të ndodh në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër çdo komunë, në Shtëpitë e të Moshuarve, por edhe në palestra sportive në momentin kur do ketë një vaksinimin masiv.

“Nëpër komuna, nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, spitale, shtëpi të pleqve, do iu mundësojmë qytetarëve që të jenë sa më afër dhe t’u ofrohet kjo mundësi. Do të shohim objektet më të përshtatshme ne në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tash në aspektin e prioritetit që kemi për mjekët tanë ka hapësira që tash janë identifikuar pa mundësi grumbullimi apo edhe stërngarkimi. Nëse na nevojitet ndonjë qendër e madhe kur të fillojë numri i madh i të vaksinuarve, i kemi identifikuar edhe objektet e tjera sikurse palestrat sportive që mund ta ofrojnë atë komoditet edhe mund të krijojmë një mundësi më të mirë të vaksinimit”, tha Zemaj.

Ai shpreson se që Kosova nuk do ketë telashe në shpërndarjen e vaksinës, madje thotë se plani për vaksinimin anti-COVID, tashmë është i gatshëm dhe do të publikohet.

“Është e gatshme për publikim, do ta publikojmë dhe gjithçka do jetë transparente. Objektet mund të jenë lëvizëse sepse kur shtohen kontingjenti i madh i numrit të vaksinave, fatmirësisht ne e kemi një përvojë të mirë dhe kemi një traditë të mirë të shpërndarjes së vaksinave të gripit sezonal e cila nuk dallon shumë nga dhënia edhe e kësaj vaksine. Vetëm tash kur e rritëm apo shumëfishuam numrin e vaksinave kundër gripit sezonal ka pasur raste kur vetëm në një qendër të mjekësisë familjare më shumë se 2 mijë persona janë vaksinuar dhe nuk ka pasur as grumbullim e as mos stërngarkim”, shtoi Zemaj.

Zemaj po ashtu ka deklaruar se shumica e profesionistëve shëndetësorë që do i vaksinojnë qytetarët e Kosovës me vaksinën kundër koronavirusit kanë kryer trajnimin.

Republika e Kosovës në fillim të muajit dhjetor ka aplikuar tek mekanizimi COVAX, për sigurimin e vaksinave që do jepet falas për 20 për qind të popullatës, që në rastin e Kosovës i bie që falas të ofrohen 360 mijë vaksina.

E javë më parë në Ministrinë e Shëndetësisë me qëllim të sigurimit të vaksinave kundër COVID-19, ka thënë se kanë marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 500, 000 dozave të kësaj vaksine.

Vendet fqinje të Kosovës si Shqipëria dhe Serbia kanë nisur vaksinimin kundër COVID-19./Kosovapress

Të ngjashme