Intervista
Ministret Hajdari dhe Rizvanolli do të përfundojnë në burg, janë viktima të Albin Kurtit
Demokracia
16:15 | 25 Dhjetor 2024

Share:

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka dhënë një paralajmërim të fortë. Ai ka bërë me dije se para ose pas zgjedhjeve disa ministria të Albin Kurtit do të përfundojnë prapa grilave.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj është shprehur i bindur se ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari dhe ajo e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, do të përfundojnë në burg.

Ai ka bërë me dije se të dy ministret janë viktima të kryeministrit Albin Kurti.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, deputeti i LDK-së ka thënë se Albin Kurti e ka instaluar në Kosovë sistemin e korrupsionit të strukturuar.

Mua me dhimben këta njerëz. Besoni, Rizvanolli dhe Rozeta, aq sa i njoh si persona publik, unë mendoj se ato janë viktima të skemës së korrupsionit të strukturuar të Albin Kurti. E tash e paqin veten në qafë, se kanë pranuar me dëshirë me qenë pjesë e kësaj skeme. Unë nuk mund të them se ministrja Rizvanolli ka vjedh vetë, ata kanë vjedh dhe kjo vetëm i ka shikuar, duke tregtu energji elektrike”, ka thënë ai.

Ai ka bërë me dije se ato prapa grilave do të përfundojnë para ose pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Këto dyja janë viktima të skemës së korrupsionit të strukturuar që Albin Kurti ka instaluar në Kosovë, dhe jam i bindur se para ose pas zgjedhjeve kanë me përfunduar prapa grilave”, ka thënë ai.

Selmanaj ka treguar se këtë bindje e ka në bazë të fakteve që janë publikuar në media.

Pak duhet me e pa situatën dhe me thanë se këta njerëz vetëm të lirë nuk mund të jenë”, është shprehur Selmanaj.

Deputeti i LDK-së ka dhënë vlerësimet e tij për qeverisjen katër vjeçare të kryeministrit Albin Kurti.

Qeveria Kurti, sipas tij, është qeveria e korruptuar.

Kjo qeveri është e korruptuar. Duket pak e pabesueshme, sepse njerëzit kanë ndërtuar figurën e Albin Kurtit si një njeri që e shet edhe banesën e tij për t`i shërbyer partisë dhe në fund del si njeri që ka instaluar në Kosovë sistemin e korrupsionit të strukturuar. Çka i bije kjo? 2123 kontrata sekrete që kapin shifrën rreth 300 milionë euro, shumica e këtyre kontratave janë bërë në skuta dhe në zyrat e LVV-së. Këto kontrata kanë të bëjnë me energjinë elektrike, që i ka bërë Nagip Krasniqi dhe Martin Berishajn, me ambalazhuesit e ujit mbi 90 milionë euro, me subvencionet në bujqësi dhe në infrastrukturë”, është shprehur ai.

Selmanaj ka vlerësuar se vlera e kontratave që po hetohen nga prokuroria kap shfren e 500 milionë eurove.

Vlera e kontratave të kësaj qeverie që po i heton Prokurori Speciale është rreth gjysmë miliardi euro. Pra, gjysmë miliardi euro të dyshuara për abuzim, për keqpërdorim”, ka deklaruar Selmanaj.

Ndër të tjera, ai ka kritikuar kryeministrin për mbrojtjen e afera korruptive.

Sipas tij, Kurti është shndërruar në avokat të të dyshuarve për korrupsion.

Avokati kryesor i të dyshuarve për krim dhe korrupsion në Kosovë është bërë kryeministri Albin Kurti. Del e mbron Nagip Krasniqin, Rozeta Hajdarin, Martin Berishajn, Luburn Aliun, Faton Pecilin. Dhe kur e sheh këtë i bije se ky ose është i përfshirë drejtpërdrejt duke iu dhënë urdhra atyre që të vjedhin, ose ata vjedhin dhe për atë është gjithçka në rregull, sepse po i lajnë borxhet e fushatës elektorale të kaluar. Sepse këta kanë shpenzuar shumë në fushatën e viti 2021”, ka thënë Selmanaj.

“Gracka” e Kurtit për Prokurorinë

Deputeti Selmanaj e ka komentuar edhe sjelljen e kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë, i cili po refuzon të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit.

Ai ka bërë me dije se i pari i Qeverisë po dëshiron që në prokurori të sillet me forcë nga policia.

Sipas tij, Kurti po dëshiron të viktimizohet para zgjedhjeve nacionale.

Duke e ditur se ky këto skema i ka për qejfi, sepse ky krejt jetën e tij është viktimizua. Ky e dëshiron atë. Me i shku policia të zyra, dhe ai me u zvarritë, që njerëzit me thanë se ‘shihe çka po bëjnë kryeministrit’”, ka thënë Selmanaj.

Deputeti i LDK-së ka kërkuar nga prokuroria që të mos ia plotësojnë këtë dëshirë kryeministrit Kurti.

Prokuroria Speciale, ka thënë ai, nuk duhet të bije në këtë “grackë” të Kurtit.

Normalisht që nuk është nën kapacitetin tim që të iu jepi leksione Prokurorisë Speciale, por kisha pasur shumë dëshirë që deri në zgjedhje, mos me ia realizu këtë skemë Albin Kurti”, ka thënë Selmanaj.

Në këtë intervistë Selmanaj ka folur edhe për pritjet e tij më 9 shkurt.

Ai ka deklaruar se në këto zgjedhje LDK-ja më se paku do të dyfishojë elektoratin e saj nga zgjedhjet e fundit nacionale.

“Në hyjmë për të fituar, por pritjet e mija janë që se paku LDK-ja duhet ta dyfishojë rezultatin që e ka pasur në zgjedhjet e vitit 2021. Në bazë të gjithave indikacioneve dhe punëve që janë bërë, mendoj se më se paku do të duhej të ndodhte kjo”, është shprehur ai.

Duke u bazuar në disa sondazhe, ai ka bërë me dije se partia në pushtet do të befasohet nga rezultati që do të marrë më 9 shkurt.

Sipas tij, VV-ja është shumë larg rezultatit që e ka marrë në zgjedhjet e vitit 2021.

Aq sa po i përcjelli sondazhet dhe perceptimin e opinionit publik dhe takimet që i kemi, mendoj se Vetëvendosje është shumë larg prej rezultati që e ka pasur. Ka me i befasuar elektorati, sikurse që na ka befasuar dhe i ka befasua ata”, është shprehur Selmanaj.

Në lidhje me koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve, ai ka deklaruar se LDK-ja hynë në koalicion me partitë tjera vetëm nëse e ka postin e kryeministrit.

Me një qeveri ku kryeministër është Abdixhiku, mendoj se imponojmë edhe të Lëvizja Vetëvendosje dhe kushdo që është rregulla tjera të lojës. Nuk e vëmë Kosovën në eksperiment, asnjëherë nuk e kemi vënë. Nuk e fusim Kosovën në labirinthe me të panjohura, asnjëherë nuk e kemi bërë”, ka thënë Selmanaj.

Të ngjashme