Lajme
Ministre Nagavci, a ia nisim testimit me ju?
Demokracia
22:10 | 10 Janar 2024

Share:

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kohë që po kërkon testimin e mësimdhënësve.

Kjo ide është kundërshtuar fuqishëm nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, në reagimin e tij e përmendi nevojën për avancim të mësimdhënësve.

Megjithatë, Jasharaj e ka hedhur poshtë idenë e Nagavcit për testimin e mësimdhënësve.

“Kam thënë duke u bazuar në zërin e anëtarësisë se ka greva. Kam deklaruar se kurrë sa të ketë SBASHK nuk do të ketë test me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve. Kam kërkuar publikisht tani e sa muaj takime me ministren Nagavci për të shpalosur kërkesat e punëtorëve të arsimit, por ajo e mban e vazhdon ta mbaj inatin për grevën dhe nuk pranon takime.”, shkroi ndër të tjera Jasharaj.

Por, nëse nis testimi, përse të mos i nënshtrohet edhe ministrja Arbërie Nagavci. Mbase, testimin ta fillojë duke dhënë shembullin personal.

Demokracia.com muaj më parë kishte publikuar diplomën e ministres Nagavci, të lëshuar nga Universiteti i Prishtinës – Fakulteti Juridik, ku thuhet se ajo “u regjistrua në vitin akademik 2009/2010 në studimet master” dhe “studimet i mbaroi më 5 prill 2019”, pra pas plot 10 vjetësh, por që ende nuk ishte publikuar, pasi që po verifikohej orgjinaliteti i saj.

LEXO EDHE: 

SKANDALOZE| Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bëri 10 vjet që t’i kryejë studimet master me notë mesatare 6.46

Me mbrojtjen e temës së diplomës, Arbërie Nagavci ka fituar titullin: Ma. Sc. i Shkencave Juridike Ndërkombëtare. Tema që ajo e ka mbrojtur kishte për titull: “Aspekti krahasimor i të drejtës martesore në Republikën e Kosovës me atë Republikën e Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë”.

Edhe pse Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i mbaroi studimet master me notë kaq të ulët dhe bëri 10 vite, që është e zakonshme për studentët e dobët, asaj nuk i ka munguar guximi që ta marrë drejtimin e këtij dikasteri qeveritar me rëndësi thelbësore për çdo shtet.

Demokracia.com kishte dërguar pyetje në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), por asnjëri institucion nuk patën kthyer përgjigje.

Pas kësaj, Demokracia.com kishte kontaktuar direkt përmes telefonit edhe me ministren Arbërie Nagavci, e cila nuk ka dashur të flasë në telefon, por ka premtuar që të hënën do të përgjigjen në interesimin e redaksisë.

“A keni dërgu pyetje të lutem? Okej, të hënën iu kthejmë përgjigje”, kishte premtuar Nagavci.

Por, përkundër kësaj, Demokracia.com nuk kishte marrë ndonjë përgjigje nga ministria e Nagavcit.

Në seancën e 22 marsit 2021, kur u votua Qeveria Kurti 2, kryeministri Albin Kurti e kishte prezantuar me shumë entuziazëm kabinetin e tij qeveritar, si një qeveri e ndryshimit dhe shpresës. Në mesin e emrave që kishte përmendur ishte edhe “Arbërie Nagavci – Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”.

Detyrat që ka përsipër Ministrja e Arsimit janë me peshë të madhe, pasi kjo ministri ka për obligim të zhvillojë politika dhe të hartojë e implementojë legjislacionin për zhvillimin e arsimit, duke përfshirë zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencën në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme