Lajme
Ministrave të Kurtit i pështillen “standardet”, Sveçla kërkon punëtorë pa përvojë e pa fakultet e Haxhiu shofer që flet disa gjuhë
Demokracia
18:02 | 09 Gusht 2022

Share:

Qeveria e Kosovës i ka shpallur disa konkurse për vende të reja të punës nëpër ministri të ndryshme.

Por, kriteret për t’u punësuar në ministritë e Qeverisë së Kosovës po dallojnë goxha shumë.

Përderisa në një konkurs të shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës nuk kërkohen kritere të rëndësishme, si përvoja e punës apo fakulteti, por kërkohet vetëm njohja e një gjuhe zyrtare, një konkurs tjetër i shpallur nga Ministria e Drejtësisë kërkon që për pozitën e një vozitësi kandidati madje të flasë të gjitha gjuhët zyrtare që fliten në Kosovë.

E konkurset me pak kritere gjithmonë ngjallin dyshime se janë përgatitur për aktivistë të partive në pushtet.

Ministria e Xhelal Sveçlës ka shpallur një konkurs për 50 pozita në këtë ministri si zyrtarë administrativë, për afat 1-vjeçar.

Për këto pozita, ministria e Sveçlës ka kërkuar që kandidatët të kenë vetëm diplomën e shkollës së mesme dhe nuk u është kërkuar përvoja e punës, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, aty është kërkuar që kandidatët ta njohin vetëm njërën prej gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës, me shkrim dhe me gojë.

Për dallim nga ministria e Sveçlës, ministria që drejtohet nga Albulena Haxhiu po e kërkon një vozitës dhe ai duhet të jetë shumë më i përgatitur.

Përveç punëve të përshkruara në konkurs, që e ngarkon për drejtimin e veturave në punët e terrenit për nevojat e Ministrisë se Drejtësisë, shpërndarjen e shkresave përmes postes dhe shkresave tjera për nevoja të Ministrisë se Drejtësisë, kontrollimin e rregullsisë së veturave, ai duhet të mbajë evidencën e servisimit dhe të regjistrimit të veturave, si dhe kontrollimit teknik të veturave, kontrollimin e shpenzimit të derivateve dhe kontrollimin e kilometrave të kaluar, raportimin me shkrim lidhur me shpenzimet dhe mirëmbajtjen, si dhe duhet të kryejë edhe punë e detyra te tjera sipas nevojave dhe kërkesave.

Shoferi i MD-së duhet ta ketë të kryer shkollën e mesme, duhet të ketë patentë shofer valid për kategorinë B, njohuri të mira të punës në mirëmbajtjen e veturave, së paku 2 (dy) vite përvojë pune në punë të ngjashme dhe njohje të mirë të gjuhëve në përdorim zyrtar në Republikën e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme