Lajme
Ministrat e tij shkelën Kushtetutën | Kurti kokëulur, s’e thotë asnjë fjalë në 15 vjetorin e saj
Demokracia
12:39 | 10 Prill 2023

Share:

Të dielën e 9 prillit, u bënë 15 vjet nga dita që hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që sa ishte në opozitë luante rolin e gardianit të Kushtetutës, në 15 vjetorin e saj nuk e tha asnjë fjalë.

Mbase, kjo heshtje e Kurtit ka të bëjë me shkeljet që i bënë ministrat e tij, dokumentit më të rëndësishëm të vendit, shkruan Demokracia.com.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konfirmuar se dy ministre të Qeverisë Kurti e kanë shkelur Kushtetutën.

Arbërie Ngavaci e Arsimit e Albulena Haxhiu e Drejtësisë, u konfirmuan si shkelëse të Kushtetutës.

Javë më parë, më datën 25 mars kjo gjykatë e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kushtetuesja vendosi se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Popullit, barazinë para ligjit, e nenin për KPK-në.

Kurse, në prill të vitit 2022, Kushtetuesja kishte konstatuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal në reformën që e kishte nisur ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Por duket se fjalët e bukura të Kurtit morën fund sapo erdhi në pushtet.  Për shkelësit e Kushtetutës, kryeministri Kurti sa ishte në opozitë deklaronte se “ai që e shkelë Ligjin është kriminel, e ai që shkelë Kushtetutën është superkriminel”.

Për shkeljet e Kushtetutës nga ministrat e Kurtit ka folru edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përcjell Demokracia.com.

Abdixhiku ka thënë se pos Nagavcit e Haxhiut, pritet që Gjykata të konstatojë edhe tri shklje të tjera nga ministrat e Kurtit.

“15 vjet pas miratimit të kushtetutës, Kosova vazhdon të përballet me sfida, por ka arritur të promovojë vlerat e saj kushtetuese, duke ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe të hapur për të gjithë qytetarët e saj. Në Ditën e Kushtetutës, le t’i kujtojmë shkelësit e saj. Ata të konfirmuar tashmë, e të tjerët në pritje. Do të thonë se janë shkelje të lehta këto; se Kushtetuta është shkelë dhe nga të tjerët më parë. Por a është ky ndryshimi për të cilin Kosova kishte e ka aq shumë nevojë? Që pushtetarët e paprekshëm, të qëndrojnë mbi ligj e mbi Kushtetutë? Urime Dita e Kushtetutës qytetarë. Kosovën do ta bëjmë vërtetë më të mirë një ditë. Sepse vendi ynë meriton më shumë; meriton më mirë!”, ka shkruar Abdixhiku.

Edhe Qeveria Kurti 1, ka  shkelur aktin më të lartë juridik në dy raste.

Ishte viti 2020, kur gjatë qeverisjes së parë të Kurtit, u shënua “mëkati i parë” ndaj Kushtetutës.

Vendimi për orën policore dhe kufizime të tjera me anë të vendimeve të Qeverisë, u cilësuan në kundërshtim me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila interpretoi kushtetutshmërinë e vendimeve të Qeverisë pas kërkesës së ish presidentit Hashim Thaçi.

Në vendimin e Gjykatës theksohej e se vendimi i Qeverisë i datës 23 mars 2020 i nënshkruar nga kryeministri Kurti, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-s”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Por, marrëdhëniet jo fort korrekte ndërmjet Qeverisë Kurti I dhe Kushtetutës vazhduan tutje.

Pak muaj pas shkeljes së parë, erdhi edhe lajmi i dytë për mos respektimin e Kushtetutës nga Qeveria Kurti I.

Shkelësi i dytë i Qeverisë së parë të udhëhequr nga Kurti ishte Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, i cili me 12 prill kishte shpallur qytetin e Prizrenit zonë karantine.

Ndaj këtij vendimi, një kërkesë për interpretim kishin parashtruar atëkohë deputeti i PDK-së Uran Ismajli dhe 29 deputetë të tjerë.

E Gjykata kishte konstatuar se zona e karantinës nuk është në përputhshmëri me konventat ndërkombëtare.

“Gjykata me shumicë votash, vendosi se Vendimi [nr. 214/IV/2020] i 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”, nuk është në përputhshmëri me nenet 35 dhe 55 të Kushtetutës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së. Gjykata konstatoi se në nxjerrjen e këtij Vendimi, Ministria e Shëndetësisë, ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara përmes Ligjit nr.02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, dhe rrjedhimisht “ndërhyrjet” në të drejtën e lirisë së lëvizjes, përmes karantinimit të të gjithë Komunës së Prizrenit, nuk janë “të përcaktuara në ligj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, me anë të postimeve në Facebook, kanë akuzuar Qeverinë Kurti për shkelje të Kushtetutës.

Ndryshe, Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. / Demokracia.com/

Të ngjashme