Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do ta vendoste Rusinë në një pozicion të vështirë ushtarak në Detin Baltik, tha të shtunën gjenerali i lartë amerikan Mark Milley gjatë një vizite në Stokholm në prag të një stërvitjeje ushtarake.
Dy fqinjët nordikë, të cilët kanë vijë të gjatë kufitare në Detin Baltik, aplikuan muajin e kaluar për t’u bashkuar me aleancën ushtarake mes shqetësimeve të sigurisë pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës në shkurt, megjithëse përballen me kundërshtimi e Turqisë.
Anëtarësimi i tyre do të nënkuptonte që vija bregdetare e qyteteve ruse të Kaliningradit dhe Shën Petersburgut në Detin Baltik, të rrethohet nga anëtarë të NATO-s.
“Nga perspektiva ruse, kjo do të ishte shumë problematike për ta, në aspektin ushtarak, dhe do të ishte shumë e dobishme për NATO-n,” tha kreu i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley.
“Baltiku është shumë i rëndësishëm nga aspekti strategjik, është një nga rrugët më të mëdha detare të botës,” shtoi gjenerali Milley.
Ai po fliste në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij suedez, kryeministren suedeze dhe ministrin suedez të mbrojtjes përpara stërvitjes vjetore të NATO-s në Detin Baltik ku marrin pjesë Suedia dhe Finlanda.
Presidenti rus Vladimir Putin tha muajin e kaluar se nuk kishte asnjë kërcënim për Rusinë nëse Suedia dhe Finlanda i bashkoheshin NATO-s, megjithëse ai paralajmëroi se Moska do të përgjigjej nëse aleanca e udhëhequr nga SHBA forcon infrastrukturën ushtarake të anëtarëve të rinj nordikë.
Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson e përshkroi vizitën e gjeneralit Milley si një demonstrim konkret të garancive që Presidenti Joe Biden i dha asaj dhe Presidentit finlandez Sauli Niinisto kur ata ishin në Uashington në maj.
“Ky është një sinjal i fortë për botën. Dhe tregon gjithashtu se garancitë e sigurisë për të cilat Presidenti Biden foli shumë hapur në Shtëpinë e Bardhë, pasohen nga veprime konkrete,” tha ajo./VOA