Lajme
Miliona euro kontrata të negociuara dhe të kundërligjshme iu dhanë kompanive të caktuara nga KEK-u
Demokracia
16:23 | 01 Korrik 2024

Share:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është përballur me akuza për lidhjen e kundërligjshme të kontratave përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë, një procedurë që ka shmangur konkurrencën dhe ka favorizuar kompani të caktuara. Këto akuza vijnë nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e cila ka audituar pasqyrat financiare të KEK-ut për vitin 2023, shkruan Demokracia.com.

Sipas raportit të ZKA-së, KEK-u ka nënshkruar 40 kontrata në një vlerë totale prej 70,012,969 euro, duke përdorur këtë procedurë, ku janë testuar vetëm 12 prej tyre dhe janë gjetur mangësi të mëdha. Në disa raste, kompanitë nuk kanë përmbushur kriteret për të lidhur kontrata dhe keqplanifikimi nga ana e KEK-ut ka shkaktuar emergjenca të rreme për të justifikuar përdorimin e këtyre procedurave të negocimit.

Raporti gjithashtu zbulon se kontratat janë lidhur pa përmbushur kriteret e sakta të dosjes së tenderit dhe se dokumentet e kërkuara, si vërtetimi tatimor, nuk kanë qenë valide. Në disa raste, kontratat janë nënshkruar për shkak të situatave emergjente, të cilat, sipas auditorit, kanë qenë rezultat i keqmenaxhimit dhe jo situatave të paparashikueshme.

ZKA-ja thekson se këto praktika minimizojnë konkurrencën, pamundësojnë transparencën dhe trajtimin e barabartë për të gjitha palët e interesuara. Përkundër komenteve të KEK-ut në lidhje me gjetjet e raportit, ZKA-ja qëndron prapa opinionit të saj, duke nënvizuar shkeljet dhe mangësitë e mëtejshme të gjetura gjatë auditimit.

Neni 35 i Ligjit për prokurimit publik thekson se autoriteti kontraktues mund të përdor procedura të negociuara pa publikimin paraprak të njoftimit të kontratës nëse për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale apo të drejtave ekskluzive dhe për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti kontraktues.

Në raportin për KEK-un shkruan se menaxhmenti, gjatë vitit 2023, kishte nënshkruar gjithsej 40 kontrata në vlerë totale 70,012,969 euro, duke përdorur procedurën e negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Prej tyre, auditori ka testuar vetëm 12 aktivitete të prokurimit sipas kësaj procedure dhe ka identifikuar mangësitë në vijim: “Në dosjen e tenderit “Modernizimi i Turbinave B1 dhe B2”, tek Pjesa C, Menaxhmenti kishte kërkuar që operatori ekonomik të ofrojë çmimin për njësi për secilin pozicion në paramasë, ndërsa oferta e dorëzuar nga operatori ekonomik nuk ishte plotësuar paramasën sipas kërkesave të dosjes së tenderit (listën e çmimeve), por ishte plotësuar vetëm në totale për komponentë. Po ashtu, vërtetimi tatimor i dorëzuar nga operatori ekonomik nuk ishte valid. Menaxhmenti i kishte dërguar operatorit ekonomik ftesën për pjesëmarrje në tender më 09 dhjetor 2022, operatori ekonomik e kishte dorëzuar vërtetimin tatimor të datës 05 tetor 2022, ndërsa kontrata ishte nënshkruar më 24 shkurt 2023, në vlerë 56,522,000 €. Menaxhmenti nuk e kishte kërkuar edhe një herë vërtetimin tatimor për të rikonfirmuar gjendjen e obligimeve tatimore të operatorit ekonomik para nënshkrimit të kontratës”.

Zyra Kombëtare e Auditmit tutje ka gjetur se në nëntë raste, në vlerë 1,895,203 euro ishin nënshkruar kontratat përmes procedurës së negocimit për shkak të situatave emergjente në të cilat tashmë gjendej kompania. Këto kontrata kishin të bënin me shërbime dhe furnizime të ndryshme, si: Ruajtja dhe sigurimi i objekteve të kompanisë, sigurimi shëndetësor për punonjësit e kompanisë, transporti i punonjësve të kompanisë, furnizimi me mazut, furnizim me acid klorhidrik, konsulencë ligjore, shërbime për zhvendosjen fizike dhe ekonomike për një pjesë të fshatrave të Komunës së Obiliqit.

“Arsyet e ofruara nga kompania nuk ishin bindëse dhe nuk kishin të bëjnë me situata ektreme emergjente që nuk mund të parashikoheshin. Për më shumë i atribuohen mosplanifikimit të duhur dhe neglizhencës ashtu siç kishte dhënë opinion Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), në tre prej këtyre raste”, shkruan tutje në raport, përcjell Demokracia.com.

ZKA-ja ka vërejtur se komisioni vlerësues gjatë negociatave me operatorin ekonomik kishte kërkuar që çmimet të jenë për njësi për secilin pozicion në paramasë, por operatori ekonomik kishte deklaruar se nuk ka mundësi ta ofrohen çmimet në formatin e paraqitur në formularin e dosjes së tenderit. Ndërsa, sa i përket vërtetimit tatimor jo valid, komisioni vlerësues e kishte konsideruar ende të vlefshëm vërtetimin më të vjetër se 90 ditë për shkak të përdorimit të procedurës së negociuar.

“Kontratat me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë ndikojnë në minimizimin e konkurrencës dhe pamundësojnë transparencën dhe trajtimin e barabartë për të gjitha palët e interesuara, ndërsa mosplotësimi i formularit të çmimeve për njësi nga operatori ekonomik ndikon në mungesë transparence për çmimin e ofruar dhe vështirësi në pranimin e punëve, mallrave dhe shërbimeve gjatë implementimit të kontratës. Poashtu vërtetimi tatimor jo valid nuk konfirmon pranueshmërinë e operatorit ekonomik lidhur me gjendjen e obligimeve tatimore”, thuhet tutje në raport.

ZKA-ja ka gjetur edhe shkelje tjera, të cilat i ka theksuar në raport. /Demokracia.com/

Të ngjashme