Në një përpjekje për të rritur trysninë financiare ndaj Presidentit rus Vladimir Putin për shkak të ndërhyrjes së tij në Ukrainë, vendet në mbarë botën po konfiskojnë pasuritë e oligarkëve që besohet se janë të lidhur ngushtë më të.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po shkakton skena të tmerrshme lufte me varreza masive, trupa të viktimave nëpër rrugë, dhe miliona njerëz që përpiqen të largohen nga vendi në atë që Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se është kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Duke shpresuar se pasojat financiare do ta detyrojnë presidentin Putin të ndryshojë mendjen për luftën e tij, shumë vende po konfiskojnë pasuritë e miliarderëve që kanë lidhje të ngushta me të.
Ndaj njëzet oligarkëve rusë janë vendosur sanksione që nga fillimi i sulmit kundër Ukrainës. Të enjten vendet perëndimore vendosën sanksione edhe ndaj miliarderit Roman Abramovich dhe gjashtë oligarkëve të tjerë rusë.
Vendimi për të vendosur sanksione ndaj Roman Abramovich-it u mor pavarësisht se ai nxorri në shitje ekipin e tij anglez të futbollit, duke thënë se të ardhurat do t’i jepeshin viktimave të luftës në Ukrainë.
“Mesazhi im për oligarkët rusë dhe udhëheqësit e korruptuar që kanë marrë miliarda dollarë nga ky regjim i dhunshëm është mjaft më. Ne po bashkohemi me aleatët evropianë për të gjetur dhe sekuestruar jahtet, apartamentet luksoze dhe avionët e tyre privatë. Ne do të godasim fitimet tuaja të korruptuara”, tha presidenti Biden.
Në të gjithë globin po sekuestrohen pasuri si ky jaht 85 metra i gjatë në pronësi të presidentit të kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft, që është bllokuar në jug të Francës.
Alisher Usmanov është një aleat i ngushtë i Putinit, pasuria e të cilit vlerësohet të jetë rreth 14 miliardë dollarë, shkruan javanews. Jahti i tij ndodhet në Gjermani dhe thuhet se nuk mund të largohet nga vendi pa marrë një leje të posaçme eksporti. Ai është një nga jahtet më të mëdha në botë, me vlerë rreth 600 milionë dollarë.