Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka thënë këtë të mërkure se Mali i Zi duhet që të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
Këto komente, Milanoviç i bëri në një takim që ka pasur me Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviç, në Zagreb.
Sipas kreut kroat, Mali i Zi duhet të anëtarësohet sa më shpejt që të jetë e mundur në Union, “veçanërisht duke pasur parasysh se ka vite që është anëtar i NATO-s”.
Siç ka njoftuar kabineti i Milanoviç-it, presidenti kroat, në këtë takim, ka theksuar se shteti malazez mund të llogarisë në mbështetjen e fuqishme të Kroacisë në rrugën e saj drejt BE-së.
Është bërë me dije se tema kryesore e takimit ishte integrimi evropian dhe perspektiva e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Ata, theksohet aty, diskutuan gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve dhe situatën e sigurisë dhe politike në Evropën Juglindore.