Lajme
Miku i madh i Kosovës, Tony Blair me mesazhe të fuqishme: Kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Kosovën e lirë
Demokracia
11:07 | 10 Qershor 2024

Share:

Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne për ardhjen e mikut të madh të Kosovës, ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. Vizita e tij po shënohet në 25-vjetorin e çlirimi dhe përfundimit të fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, derisa ka falënderuar Blairin për gjithë kontributin e tij në Kosovë, ia ka dhënë fjalën.

“Jam shumë i lumtur të jem këtu, jam i nderuar. S’mund t’ju falënderoj mjaftueshëm. 25 vjet më parë një marrëveshje u arrit për të shpëtuar territorin e Kosovës. Bëmë gjithçka për njerëzit e Kosovës, që të jetojnë sërish, të marrin frymë sërish. Kujtojmë sakrificat e tyre dhe i falënderojmë të gjithë ata që na ndihmuan”, u shpreh Blair.

“Të isha kryeministër atë kohë, më kthen në vëmendje edhe shumë gjëra tjera. Komplekset, stresi. Por para së gjithash, të takoja refugjatët atëkohë, t’ua dëgjoja historitë e tyre të tmerrshme, duke kërkuar ndihmë e duke u lutur për ndihmë… ne ndihmuam, dhe nuk do të ndjejmë keqardhje asnjëherë”, tha tutje.

Blair ka përmendur edhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Natyrisht, edhe me ndihmën e presidentit amerikan Bill Clinton, e shumë shteteve tjera, ne ndihmuam këtu. Asnjëri nga ne s’do të mund të ndihmonte pa fuqinë e juaj, popullit të Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe i fuqishëm që në të ardhmen të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Të rinjtë e Kosovës janë të lumtur të jenë këtu. Veprimi gjithmonë është më i mirë se mosveprimi. Mosveprimi është po ashtu veprim por që sjellë pasoja. Shohim konfliktet në Ukrainë dhe në Gazë. Duhet të gjejmë rrugë për zgjidhje, duhet t’i mbështesim. Duhet vepruar sepse ka pasoja nëse dështojmë të veprojmë”, u shpreh Blair.

“E di që Kosova ende po përballet me sfida. Ka shumë shtete që nuk e njohin ende Kosovën, dhe duhet punuar që ato ta njohin. Duhet t’ju japim të rinjëve të Kosovës më shumë gjëra për të ardhmen. Bota po ndryshon shumë shpejtë. Le ta imagjinojmë për pak këtë të ardhme… Kosovën brenda Bashkimit Evropian… Imagjionojini të rinjtë e talentuar të Kosovës, pjesë të BE-së, sa shumë kontribut do të japin. Kjo nuk është ëndërr… është ajo që po kërkojmë ta arrijmë pas 25-vjetësh. Kjo duhet të arrihet në këtë tokë”, u shpreh Blair.

Të ngjashme