Lajme
Mijëra persona të interesuar që të protestojnë kundër Qeverisë, pasi rriti çmimin e rrymës
Demokracia
18:58 | 28 Janar 2022

Share:

Rreth 2 mijë e 800 persona janë shprehur të interesuar që të marrin pjesë në protestën e së shtunës (nesër) kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërkaq, mbi 700 kanë konfirmuar se do të jenë pjesëmarrës. Kjo shihet në postimin e Partisë Socialdemokrate, e cila po e organizon këtë protestë.

Nesër në sheshin kryesor të Prishtinës “Zahir Pajaziti”, do të mbahet protestë nga ora 14:00 kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, raporton Demokracia.com.

Partia Socialdemokrate është organizatore e kësaj proteste, ndërsa e kanë publikuar edhe një postim si event lidhur me këtë ngjarje.

Rreth 2 mijë e 800 persona janë shprehur të interesuar që të marrin pjesë në protestën e thirrur për nesër, ndërsa mbi 700 kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Por edhe shumë qytetarë janë shprehur të gatshëm që të dalin në protestë përmes reagimeve në rrjete sociale, pasi që shtrenjtimi i çmimit të rrymës për ta është i papërballueshëm, raporton Demokracia.com.

Lidhur me protestën, të premten para mediave ka folur edhe kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, i cili ka thënë se pret që pas protestës së nesërme, të hidhet poshtë propozimi i ZRRE-së menjëherë të hënën.

“Siç jeni të gjithë të informuar, kemi një propozim nga ZRRE, i cili në fakt nuk është i saj por i Qeverisë, të cilin tash mund ta konfirmojmë nga gjithë takimet që kemi pasë në qytete e fshatra të ndryshme, i cili ka shkaktu një irritim të paparë te qytetarët e Kosovës, për shkak se çmimi është shumë i shtrenjtë. Kërkesa e kësaj proteste është që hidhet poshtë ky propozim, sepse i favorizon ata që kanë shumë, por i ndëshkon të tjerët dhe u shkakton barrë të rëndë, që janë shumica në vend. Ne e ftojmë secilin qytetar, partitë opozitare, organizatat e shoqërisë civile, individë e kushdo tjetër sepse jemi i bindur që numri i madh i qytetarëve nesër, të hënën do ta kthejë vendimin e ZRRE-së mbrapa”, ka thënë Molliqaj.

Lidhur me pjesëmarrjen e partive të tjera opozitare, Molliqaj ka thënë se ka takuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, si dhe ka komunikuar me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka thënë se e mbështetë protestën, ndërsa LDK e PDK kanë thënë se pajtohen me kërkesat e PSD-së, raporton Demokracia.com.

Molliqaj mes tjerash ka thënë se pret që nesër të jetë protestë masive kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, dhe se nuk nuk ndërmerren veprime, do të vazhdojnë prapë.

Kreu i PSD-së nga gazetarët në konferencën e sotme është pyetur edhe se a do të jetë paqësore protesta e nesërme, apo pritet të ketë incidente.

“Sigurisht që protesta është paqësore, por do të kemi edhe aksione simbolike që do ta shprehin revoltën e qytetarëve kudo në Kosovë dhe neve si PSD kundër këtyre zhvillimeve që kanë ndodhë”, ka thënë ai.

PSD-ja publikon fotografi nga përgatitjet për protestën e nesërme

Ndërkohë, çmimet e energjisë elektrike nuk do të jenë aspak të ulëta, derisa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.

Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300 kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, tani do të bëhet 29.66 euro.

Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja, ajo bëhet 38.92 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.

Nëse jeni në kategorinë E ju shpenzoni deri në 1000kWh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit, fatura bëhet 109.42 euro./Demokracia.com/

 

Të ngjashme