Lajme
Mihrije Braha e Remzije Osmani i tregojnë Albin Kurtit çfarë është reciprociteti
Demokracia
10:24 | 19 Korrik 2022

Share:

Është çështje ditësh apo javësh [pas fitores] kur do ta vendosim reciprocitetin me Serbinë, por kurrsesi çështje muajsh, deklaronte Albin Kurti, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Janë bërë muaj, madje po bëhen dy vjet, si dëshmi e qartë se ky premtim i Kurtit ishte një gënjeshtër, sepse Qeveria e drejtuar nga ai ende nuk ka marrë vendim, të paktën, për reciprocitet ekonomik ndaj Serbisë. Kjo është parë si një masë efikase për të mbrojtur prodhuesit vendorë dhe për t’u pavarësuar nga importimi i mallrave serbe, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse mund të tingëllojë si një shaka, por larg nga politika ditore dhe shumë më të vendosura se kryeministri Kurti, dy këngëtaret e njohura kosovare, Mihrije Braha dhe Remzije Osmani, i kanë ndërtuar raportet e tyre duke u mbështetur në reciprocitet të plotë. Reciprociteti i tyre po tregohet plotësisht efikas.

Çështja e ngritur mes dy këngëtareve të njohura, ka filluar me (mos)ftesat reciproke për gazmendet e tyre familjare.

E para që është deklaruar kohë më parë, ka qenë këngëtarja Remzije Osmani, e cila nuk ishte e ftuar në fejesën e djalit të Mihrije Brahës.

“Nuk kam qenë e ftuar, shpresoj që për dasmë të djalit do të më thërras. Unë e kam thirrë kur e kam martu djalin tem”, kishte thënë Remzija.

Pra, zonja Osmani po tregonte se zonjën Braha e ka ftuar vetëm në dasmën e djalit, por jo edhe me rastin e fejesës së tij.

Dhe për të qenë plotësisht e njëllojt në sjellje, Braha ka vendosur që kolegen e saj të mos e ftojë në fejesën e djalit, por ka premtuar se ftesë do t’i bëjë kur të bëhet dasma.

“Remzija kur e ka feju djalin as ajo nuk m’ka ftu. Edhe unë për fejesën e djalit tem nuk e kam ftu. Por, Remzija kur e ka martu djalin m’ka thirrë në dasmë, por edhe unë kur ta martoj djalin do ta thërras në dasmë”, ka thënë Braha.

Debati publik mes dy zonjave, Osmani dhe Braha, nuk është vetëm një debat mes tyre, pasi shqetësimet e tilla për (mos)ftesa në ahengje familjare dëgjojmë shpeshherë në jetën e përditshme.

Të dy këngëtaret kanë vendosur që debatin ta bëjnë dhe ta zgjidhin publikisht, ndryshe nga kandidati Kurti që kishte bërë publikisht premtimin për reciprocitet, por që tani si kryeministër nuk ka dëshirë ta vendosë dhe as ta diskutojë. /Demokracia.com/

Të ngjashme
ShowBiz • 05 Maj 2024