Lajme
Miftaraj: Listës Serbe nuk i takojnë dy ministri me Kushtetutë
Demokracia
13:06 | 23 Mars 2021

Share:

Dje është zgjedhur Qeveria e Kosovës, ku u zgjodh Albin Kurtit si kryeministër.

Qeveria ka prezantuar 15 ministri, nga të cilat një (1) i është dhënë komunitetit serb, sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ndërkaq, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se Albin Kurti ka shkelur Kushtetutën dhe se për këtë ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, për shkak se komuniteteve me shumicë serbe u takojnë dy ministri.

Reagimi i Simiqit ka ardhur pasi që në Kushtetutën e Kosovës, Neni 96 pika 3 thotë se në Qeveri do të jenë së paku një (1) ministër nga komuniteti serb dhe një (1) ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë.

Pra, sipas Kushtetutës, ministri i tretë nga komunitetet nuk është i përcaktuar se nga cili komunitet joshumicë duhet të vijë.

E që ky reagim nuk ka bazë, pasi që me Kushtetutë dhe me pakon e Ahtisaarit nuk është e përcaktuar një gjë e tillë, e thotë edhe drejtori i KDI-së, Ehat Miftaraj.

Ai në një prononcim për Demokracia.com tha se në bazë të Kushtetutës dhe pakos së Ahtisaarit, askund nuk është e thënë që Lista Serbe mund të marrë dy pozita të ministrit, edhe kur kabineti qeveritar i ka më shumë se 12 ministri.

“Në bazë të Kushtetutës së Kosovës por edhe të planit të Ahtisaarit, që është zotim ndërkombëtar, që Qeveria e Kosovës do të zbatojë praktikën dhe obligimet nga kjo, askund nuk është e shkruar apo nuk është e thënë që Lista Serbe mund të marrë dy pozita të ministrit dhe të kabinetit qeveritar , edhe në këtë rast kur i ka 15 ministri”, tha Miftaraj.

Ai, po ashtu tha se në të kaluarën kur Listës Serbe i janë dhënë deri në dy ministra, kjo nuk ka qenë në pajtim me Kushtetutën, por ka qenë një marrëveshje politike, e që mund të thuhet se ka qenë në kundërshtim dhe i ka shkelur të drejtat e komuniteteve tjera jo shumicë.

“Përderisa koalicionet qeverisëse në të kaluarën që i kanë bërë me Listën Serbe iu kanë mundësuar të marrin deri në dy ministra, kjo nuk do të thotë që ka qenë në pajtim me Kushtetutën, por më shumë ka qenë një marrëveshje politike, e që mund të themi se në atë kohë ka qenë në kundërshtim apo i ka shkelur të drejtat e komuniteteve tjera joshumicë në Kosovë”, shtoi Miftaraj.

Kujtojmë se sipas Kushtetutës së Kosovës, Qeveria duhet të ketë një (1) ministër nga komuniteti serb dhe një(1) nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë. Ndërsa kur Qeveria përbëhet nga më shumë se 12 ministri, duhet të jetë edhe një ministër i tretë nga komunitetet joshumicë, por nuk përcaktohet se nga cili komunitet, e që lë hapësirë për të vendosur se nga kush do të përcaktohet.

Neni 96.3 Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve

  1. Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë.

Ndërsa për zëvendësministrat, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se duhet të jenë dy (2) nga komuniteti serb dhe dy (2) nga komunitetet tjera joshumicë. Po ashtu nëse janë më shumë se 12 ministri, Qeveria duhet të ketë edhe një (1) zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin serb dhe një (1) zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet tjera joshumicë në Kosovë.

Neni 96.4

  1. Do të jenë së paku dy (2) zëvendësministra nga komuniteti Serb i Kosovës dhe dy (2) zëvendësministra nga komunitete të tjera joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë (12) ministra, Qeveria do të ketë edhe një zëvendësministër të tretë, i cili përfaqëson komunitetin Serb, dhe një (1) tjetër zëvendësministër, i cili përfaqëson një nga komunitetet e tjera joshumicë në Kosovë.

 

Ndërkaq, Qeveria Kurti 2, ende nuk i ka bërë të ditur emrat e zëvendësministrave, për të parë se a është shkelur Kushtetuta e vendit apo jo./Demokracia/

 

 

 

 

 

Të ngjashme