Lajme
Miftaraj komenton raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara
Demokracia
17:58 | 13 Prill 2021

Share:

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj ka komentuar raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilin e ka publikuar Demokracia.com gjatë ditës së sotme.

Miftaraj për Demokracia.com tha se ky raport është një praktikë e cila ndjeket që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, dhe sipas tij të dhënat e raportit paraqesin gjendjen reale.

“Raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të Përfaqësuesit Special për Kosovë janë një praktikë që ndjeket që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008”, tha Miftaraj.

Ai më tej tregoi se raporte të tilla bazohen kryesisht edhe nga raportet ndërkombëtare kredibile dhe bëjnë vlerësimin e gjendjes në fusha të ndryshme.

“Karakteristikë e këtyre raporteve është se në masë të madhe paraqesin gjendjen reale në Kosovë lidhur me procese të ndryshme nëpër të cilat kalon Kosova, sikurse faktin se si raporte të tilla bazohen kryesisht edhe nga raportet ndërkombëtare kredibile që bëjnë vlerësimin e gjendjes në fusha të ndryshme, raporte të organizatave jo qeveritare apo të mediave në Kosovë”, tha më tutje Miftaraj për Demokracia.com.

Kujtojmë se raporti i Sekretarit të Përgjithshëm përmend të arriturat por edhe sfidat në Kosovë, nga dorëheqja e Presidentit Thaçi deri te zgjedhjet e suksesshme më 14 shkurt; ato në sektorin e sigurisë dhe të sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe zhvillim të qëndrueshëm. Si anekse janë shtuar raportet e punës së EULEX-it dhe Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Po ashtu në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sot do të prezantohet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm për zhvillimet në Kosovë në gjashtë muajt e fundit që vlerëson të arriturat politike në Kosovë dhe përmirësimin e gjendjes së sigurisë.

Vlen të theksohet se është duke vazhduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që po mbahet online, dhe në të cilën po diskutohet Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut për periudhën nga shtatori 2020 deri në mars 2021./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 19 Prill 2025