Lajme
Miftaraj, Haxhiut: Cila është përgjegjësia juaj – a përfundon vetëm me shkrime në rrjetet sociale si me qenë pjesëtare e shoqërisë?
Demokracia
10:19 | 16 Prill 2024

Share:

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, pas vrasjes së një grua tjetër akoma pa u bërë një javë ku u vra një grua në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, e ku të dyshuarit kryesor janë bashkëshortet e tyre ka kërkuar përgjegjësi nga Ministria e Drejtësisë.

Miftaraj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kërkuar të dijë se cili është roli i ministres, Albulena Haxhiu, në parandalimin e këtyre rasteve.

“Ministrja e Drejtësisë, si Koordinatore Nacionale kundër Dhunës në Familje, a ka ndonjë përgjegjësi dhe a fillon dhe përfundon përgjegjësia e saj me postime në ‘Facebook’ si me qenë pjesëtare e shoqërisë civile”, ka shkruar Miftaraj.

Sipas tij, rastet e tilla ndodhin vetëm në shtete si Kosova, ku sistemi i drejtësisë vazhdimisht ballafaqohet me sulme.

“Në një shtet ku kryeministri, ministri, deputeti, këshilltari brenda ditës i sulmon gjykatat e rregullta dhe Gjykatën Kushtetuese për një grusht vota. Në një shtet ku policia, prokuroria dhe gjykata nuk e shohin viktimë gruan e cila vritet ose dhunohet nga burri, por burrin i cili e ka kryer krimin”.

“Në një shtet ku pushteti secilin veprim që e merr e mat se sa vota i fiton ose i humb, në një shtet ku pushteti s’ka pikë respekti për ligjin dhe procedurën. Në atë shtet ndodhin vrasjet, dhunimet, s’ka rend, s’ka ligj. Sepse, qytetari mendon se të shkelësh ligjin, me vra tjetrin, me dhunu gruan është normale”, shton Miftaraj.

Një grua është vrarë të martën në Pejë, ku dyshohet se dorasi është bashkëshorti i saj.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante”.

Nikçi, ka thënë se i dyshuari është arrestuar.

“Jemi në pritje të Mjekësisë Ligjore për të marrë trupin e pajetë”.

Edhe më 12 prill, një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Po ashtu, edhe për këtë rast është arrestuar ish-bashkëshorti i saj.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme