Lajme
Mickoski e thërret Taravarin: I urova zgjedhje të suksesshme parlamentare dhe qeveri të ardhshme
Demokracia
23:56 | 24 Prill 2024

Share:

Kryetari i partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski, ka thënë se pas publikimit të rezultateve për zgjedhjet presidenciale, ka kontaktuar me opozitën shqiptare, përkatësisht me kandidatin e VLEN-it për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, e ka uruar atë për rezultatin, ndonëse ka humbur ndaj Bujar Osmanit, dhe për qeveri të ardhshme të përbashkët me opozitën shqiptare.

“Para se të drejtohem para jush, u dëgjova me opozitën shqiptare, me Arben Taravarin, e urova për rezultatin dhe i dëshirova zgjedhje parlamentare të suksesshme dhe Qeveri të ardhshme në Maqedoni”, tha Mickoski në një konferencë për media teksa shpalli fitoren e kandidates së VMRO-DPMNE-së për presidente të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, me afër 90 për qind të votave të numëruara, në taborin shqiptar fitore bindëse ka korrur kandidati i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani, me 13.64 për qind, apo 109 mijë e 650 vota.

Ndërsa, Taravari ka fituar 9.62 për qind, apo 77 mijë e 346 vota.

Nga ana tjetër, në kampin maqedonas, fituese, apo ajo që prin garën në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, është kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, me 40.03 për qind, apo 321 mijë e 775 vota.

Ajo pasohet nga presidenti aktual Stevo Pendarovski, i cili ka marrë 19.91 për qind, apo 160 mijë e 43 vota.

I pesti në bazë të rezultateve është Maksim Dimitrievski, me 8.73 për qind, apo 70 mijë e 196 vota.

E gjashta në garë është kandidatja e të majtës ekstrem, Levica, Biljana Vankovska Cvetkovska, me 4.44 për qind, apo 35 mijë e 672 vota.

I fundit është Stevco Jakimovski, me vetëm 0.93 për qind, apo 7 mijë e 442 vota.

Të ngjashme