Lajme
Michel në Shkup në mbështetje të propozimit francez
Demokracia
16:03 | 05 Korrik 2022
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski(djathtas), dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në Shkup, më 5 korrik 2022.

Share:

Ka mbërritur në Shkup për vizitë njëditëshe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, për të shprehur mbështetjen e Bashkimit Evropian në lidhje me propozimin francez.

Me këtë rast, Michel është takuar me zyrtarët e lartë të vendit, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Për të treguar mbështetjen e Bashkimit Evropian për propozimin francez, si dhe për të konfirmuar përkushtimin e Unionit për integrimin e Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane, Michel ka marrë pjesë dhe në mbledhjen e Qeverisë ku është shqyrtuar ky dokument.

Pas takimit, nga kabineti presidencial kanë bërë të ditur se Michel dhe Pendarovski kanë rënë dakord se pranimi i propozimit francez do të mundësojë hapjen e fazës së parë të negociatave të anëtarësimit, që do të mundësojë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Përderisa opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, mbetet në qëndrimin se propozimi francez është në dëm të interesave të Maqedonisë së Veriut si shtet dhe qytetarëve të saj, pasi sipas tyre vihet në rrezik identiteti dhe gjuha maqedonase.

Derisa zhvillohej takimi ndërmjet presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Dragan Kovaçki përfaqësuesi i VMRO DPME-së para një grupi të qytetarëve që kishin dalë për të protestuar, tha se propozimi francez paraqet ultimatum të të gjitha kërkesave të palës bullgare.

“Qeveria duhet të dëgjojë zërin e popullit dhe jo të vendosë në kundërshtim me vullnetin e tij. Përmes protestave, populli tha se nuk do të pranojë ultimatum. Kovaçevski (kryeministri i Maqedonisë së Veriut) dhe Qeveria tani duhet të tregojnë se janë me popullin apo kundër popullit të vet”, tha Kovaçki.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që të dalin sa më masivisht në protestat e mbrëmjes para Qeverisë dhe siç tha, sot do të protestohet dhe para Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Protesta të dhunshme kundër propozimit francez

Tash e katër ditë mijëra qytetarë janë duke protestuar para Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, kundër propozimit francez pasi, siç shprehen, me këtë dokument Maqedonia e Veriut si shtet nënshkruan kapitullimin para Bullgarisë. Protestuesit thonë se propozimi francez rrezikon gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Protesta e 4 korrik u përcoll me shumë tensione që çuan në dhunë kur një grup i qytetarëve të udhëhequr nga lideri i partisë E Majta, Dimitar Aapsiev, i cili njihet për qëndrimet e tij nacionaliste, theu rrethojën e vendosur para Qeverisë dhe në drejtim të Policisë dhe ndërtesës qeveritare hodhën letra tualeti, shishe plastike, topa uji, mjete piroteknike dhe vezë.

Protestat mundësi e artë për struktura kundër orientimit euroatlantik të vendit

Njohësit e çështjeve politike thonë se përshkallëzimi i situatës nga protestat e dhunshme, paraqet një terren të favorshëm për strukturat që janë kundër orientimit të Maqedonisë së Veriut drejt NATOS dhe Bashkimit Evropian.

“Gjithsesi se protestat paraqesin një mundësi të artë për të gjithë ata që munden edhe më tepër të polarizojnë shoqërinë, por gjithashtu edhe për të krijuar përshtypjen se një pjesë e madhe e qytetarëve janë kundër NATO-s dhe kundër dhe Bashkimit Evropian. Këto struktura do të mundohen që t’i shfrytëzojnë këto protesta ashtu siç janë përpjekur edhe në të kaluarën për t’i manipuluar qytetarët. Nuk do mend se këto struktura janë të angazhuara – për këtë flet dhe prezenca e flamurit të ish-Bashkimit Sovjetik në protestën e mbrëmshme, ndërkohë që ditëve të kaluara kemi parë dhe foto të Putinit etj, si dhe djegien e flamurit të BE-së para Qeverisë”, thotë Sefer Selimi nga organizata joqeveritare Demokracy Lab.

Gjatë kësaj jave pritet që Kuvendi të miratojë konkluzat rreth propozimit francez, me ç’rast është paralajmëruar pjesëmarrje më e madhe e protestuesve, siç kanë theksuar, për të pamundësuar varrosjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase përmes mbështetjes së propozimit francez.

Ndryshe, përmes propozimi francez i cili arriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues pasi Bullgaria tashmë dy vjet përmes vetos ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim me këtë edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë drejt rrugëtimit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

Të ngjashme