Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 34-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Suhareka, Mevlan Zeka.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Naim Kodraliu, Enver Prapashtica, Fisnik Ademi.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e tridhjetekatër t’i takojë Mevlan Zekës, i cili shënoj het-trik në ndeshjen kundër FC Llapi, të cilën e fituan me rezultat 3-2.
“Kemi pas vështirësi gjate kampionatit sidomos në ndeshjet e fundit ku kishim krizë me rezultatet. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira, por epilogu i takimit ishte kundër nesh”, ka thënë fillimisht Zeka për faqen zyrtare të FFK-së.
“Jemi mobilizuar maksimalisht që Suhareka të qëndroj në Superligë sepse brenda skuadrës tonë ka futbollist që kanë bartë barrën kryesore edhe në ekipet ku kanë qenë më herët, kemi lojtar kampion dhe do të ishtë mëkat që këta futbollistë te bien nga kategoria”.
“I kemi edhe dy ndeshje dhe normalisht që do ta japim maksimumin secili prej nesh dhe besoj që përmes barazhit do të qëndrojmë në Superligë”.
“Dua ta falënderoi komisionin për vlerësimin për “Ylli i javës”, po e jap maksimumin në çdo ndeshje dhe besoj që do t’i ndihmojë skuadrës edhe në këto ndeshjet e mbetura”.
“Faleminderit edhe për bashkëlojtarët sepse pa ta nuk do te isha edhe unë golashënuesi i skuadrës, kryesinë e klubit dhe stafin teknik me në krye trajnerin Mirel Joca”, përfundoi Zeka.