Deputeti i Listës “Guxo”, pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta ka kërkuar sërish shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas raportimeve për përfshirje në një skandal financiar në Slloveni.
Meta në një postim në rrjetin social “Facebook”, mes rreshtave ai ka lënë të kuptohet se nuk pajtohet assesi me veprimet e Martin Berishajt, gjegjësisht mos-shkarkimin e tij.
“Ne mund të pajtohemi ndonjëherë me ndonjë ide, vendim apo veprim të cilët nuk përkojnë plotësisht me parimet tona, por asnjëherë nuk duhet bërë kompromis me ide, vendime apo veprime të cilat dëmtojnë interesin shtetëror. Amaneti i votës peshon rëndë mbi supet e Deputetit”, ka shkruar ai përcjell Insajderi.
Edhe ditë më parë, Meta ka kërkuar që Berishaj të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë.
“Jo Heshtje! Bazuar në bindjet e mia, mendoj që për rastin e ambasadorit z. Martin Berishaj, duhet të merret një vendim. Është mirë që z. Berishaj të lirohet nga detyra deri në vërtetim të pafajësisë. Me një vendim të tillë, në këtë situatë që gjendet shteti ynë, do të ruhej imazhi i Kosovës pakrahasimisht më shumë sesa me mbajtjen në detyrë të Ambasadorit në fjalë, duke respektuar edhe prezumimin e pafajësisë. Gjithashtu, si shtet nuk guxojmë që të rrezikojmë që në një shtet mik, siç është Kroacia, shtet që e kemi referencë në shumë procese, të përfaqësohemi me një figurë të përfolur tashmë për gjëra që më së paku do të duhej të përfolen ambasadorët”, ka shkruar ai në Facebook.
Ambasadori Berishaj ka reaguar vetëm një herë deri më tani duke paralajmëruar padi ndaj mediumit që publikoi artikullin lidhur me përfshirjen e tij në një skandal financiar.
Përkundër deputetit Meta, presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se është për keqardhje që konstatohet diçka për ambasadorin Berishaj pa u konstatuar nga organet e drejtësisë. Ajo akuzoi mediat për mënyrën e trajtimit të rastit.
“Sa i përket pyetjes që në fakt nuk ishte pyetje por konstatim, është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Kosovës por që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht ësht shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore. Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë sepse janë kompetenca të presidentes pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha ajo para gazetarëve.
Osmani tha se i beson ambasadorit Berishaj, i cili ka mohuar në vazhdimësi akuzat.