Lajme
Mësimi online humb deri në 40 për qind të një viti shkollor
Demokracia
18:00 | 16 Mars 2021

Share:

Mësimi online në shkolla, si rezultat i pandemisë COVID-19, po del të jetë jo efektiv në krahasim me prezencën fizike të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, sot ka paralajmëruar se mësimi do të vijojë online nga e hëna, për shkak të COVID-19. Ndërkaq, nga SBASHK-u kanë deklaruar se e mirëpresin një vendim të tillë, nëse është propozuar edhe nga IKSHPK-ja.

E sa i përket skenarit të mësimit online nuk po del të jetë efikas sa ai në shkolla, me prezencën fizike të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Në një bisedë për Demokracia.com, menaxheri i projekteve në Kosova Education Center(KEC), Petrit Tahiri, ka thënë se edhe sikur Kosova t’i kishte pajisjet më të avancuara të zbatimit të mësimit online, efektiviteti i këtij lloj mësimi do të ishte jo efektiv. Ai, po ashtu, ka thënë se mësimi online nuk mund të ketë cilësinë e njëjtë me atë në shkolla.

“Së pari, nuk ka mundësi që mësimi online të jetë efikas dhe efektiv sa ai në shkollë. Edhe sikur të kishim kushtet dhe pajisjet më të avancuara dhe do ta zbatonim mësimin online në kushte normale, efektiviteti nuk do të ishte i njëjtë, po e them këtë duke pasur parasysh kontekstin e situatës së arsimit në Kosovë”, ka Tahiri për Demokracia.com.

Tahiri theksoi se në kohën kur vendi ka pasur mbyllje totale dhe mësimi është mbajtur vetëm online, fëmijët e ciklit të ulët kanë pasur edhe përkrahjen e prindërve, ndërsa kur mësimi po zhvillohet në formë të kombinuar, duke pasur parasysh rrethanat, tani kur fëmijët janë të vetëm në shtëpi, sepse prindërit e tyre janë të angazhuar me punë, vështirësitë janë shumë më të mëdha.

“Për më tepër rrethanat e shkaktuara nga pandemia dhe kalimet nga një skenar në skenarin tjetër kanë efekte edhe më të mëdha për sa i përket cilësisë. Në kohën kur kemi pasur mbyllje totale dhe mësimi është mbajtur vetëm online, të gjithë fëmijët, sidomos ata të ciklit të ulët, kanë pasur përkrahjen edhe të prindërve apo personave tjerë të rritur. Në këtë situatë, kur mësimi po zhvillohet në mënyrë të kombinuar varësisht nga rrethanat, në rastet ku fëmijët janë online (nga shtëpia), e në të njëjtën kohë prindërit nuk janë të pranishëm, sigurisht që vështirësitë janë edhe më të mëdha”, deklaroi Tahiri.

Sa i përket një alternative zëvendësuese për zhvillimin e mësimit në kohë pandemie, Tahiri thotë se mbyllja e pjesërishme dhe masat qeveritare në shtete të ndryshme janë bërë të njëjta dhe se organizimi i mësimit është zhvilluar në formë të njëjtë në shumicën e vendeve.

Ai, po ashtu, theksoi se shumica e vendeve të Ballkanit kanë preferuar transmetimin e mësimeve përmes televizioneve publike.

“Mbyllja e pjesërishme dhe masat e ndërmarra nga qeveritë e shteteve të ndryshme i ka karakterizuar një lloj uniformiteti. Edhe organizimi i mësimit online thuajse është zhvilluar në të njëjtën mënyrë edhe në vendet tjera. Shumica e shteteve të Ballkanit kanë preferuar transmetimin e mësimeve përmes TV publike dhe ofrimin e përkrahjes për nxënësit përmes platformave elektronike”, tha Tahiri.

Sipas tij, do të duhej që të shtoheshin përpjekjet për ofrim më cilësor të mësimit online, me këto mundësi ekzistuese që janë në dispozicion. Po ashtu, ai ka thënë se nuk ka alternativa tjera, që do të mundësonin një mësim më cilësor, përmes platformave ekzistuese.

“Në vende tjera më të zhvilluara, ku kushtet e përgjithshme kanë mundësuar qasje më të lehtë, ka pasur diversifikim të mundësive për mësimin online, qofshin ato me përmbajtje në kohë reale (drejtpërdrejt) apo përmbajtje asinkrone përmes platformave të mësimit online. Pra, nuk është që ka alternativa të tjera, por konsideroj që është dashur që me këto mundësi që janë të maksimizohen përpjekjet për të ofruar mësim cilësor”, shtoi Tahiri.

Humbjet mësimore nga praktikimi i mësimit online mund të shkojnë nga 15 deri në 40 për qind të një viti shkollor.

Duke iu referuar raportit të Bankës Botërore, Tahiri për Demokracia.com ka thënë se humbjet mësimore nga mësimi online, të formatit pranveror mund të jenë nga 9 pikë të testit PISA, ndërsa për ata të cilët kanë pasur probleme në ndjekjen e mësimit online për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike apo mungesës së sinjalit në televizion publik, humbjet mund të jenë deri në 15 pikë.

“Sipas raportit të Bankës Botërore, organizimi i mësimit online në formatin gjatë gjysmëvjetorit pranveror të vitit të kaluar mund të ketë ndikuar që “humbjet mësimore” të jenë nga 9 pikë të testit PISA për ata që e kanë ndjekur mësimin online, deri në 15 pikë për ata që nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin online, për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike (llaptop, PC, tablet apo telefon) apo mungesës së sinjalit të RTK-së (për mësimet që janë dhënë përmes TV). Nëse e përkthejmë në vite shkollimi, atëherë i bie që “humbjet mësimore” mund të jenë nga 15% deri në 40% të një viti shkollor”, përfundoi Tahiri./Demokracia.com/

Të ngjashme