Lajme
Mësimi me prezencë fizike nuk nis në të gjitha shkollat
Demokracia
14:07 | 18 Janar 2021

Share:

Pas 30 ditëve pushim nxënësit iu janë kthyer bankave shkollore për vazhdimin e gjysmëvjetorit të dytë mësimor. Mirëpo në Gjimnazin e Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi”, mësimi është duke u zhvilluar online për shkak të punimeve, të cilat janë duke u kryer në këtë shkollë.

Drejtori i gjimnazit, Ajet Brajshori tha për Demokracia.com se kjo shkollë ka kërkuar renovimin që nga muaji gusht, por për shkak të procedurave nga Komuna punimet janë duke u zhvilluar tani.

“Ne e kemi filluar, por e kemi filluar në formën tjetër në skenarin c, për një javë me vendim të këshillit drejtues dhe me vendim të Taskforcave të shkollës, mësimi është duke u mbajtur por jo në mënyrë fizike por është online”, tha Brajshori.

Sipas tij punimet pritet të përfundojnë së shpejti dhe mësimi do të fillojë me prezencë në shkollë javën tjetër.

Ndërkaq, nxënësit në shkollën fillore “Elena Gjika”, në Prishtinë kanë vazhduar në mënyrë të rregullt mbajtjen e mësimit.

Drejtori i kësaj shkolle, Betim Sylejmani tha se janë bërë të gjitha përgatitjet me kohë dhe mësimi sot ka filluar, sipas orarit të paraparë nga Ministria e Arsimit.

Po ashtu, ai tha se shkollat janë të pajisura me dezinfektues dhe mjete higjenike nga Komuna e Prishtinës

“Jemi duke i zbatuar udhëzimet sipas protokollit për mbajtjen e mësimit me skenarin A”, tha mes tjerash Sylejmani për Demokracia.com.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), në anën tjetër nuk e ka penguar fillimin e procesit mësimor, siç e kanë paralajmëruar se në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, për mbështetje financiare për punëtorët e arsimit dhe për kontrata të përgjithshme për mësimdhënësit, do të shkojnë në grevë.

Kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj, për Demokracia.com ka treguar se kanë dërguar kërkesë te Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe Ministri në detyrë i arsimit Ramë Likaj, që të takohen dhe të diskutojmë për t’i plotësuar kërkesat e tyre, në të kundërtën opsioni i grevës mbetet i hapur.

“Pra janë këto dy kërkesat, të cilat sipas nesh janë të realizuara dhe ne gjatë kësaj jave po presim reflektimin edhe të Kryeministrit dhe ministrit Likaj, në mënyrë që bashkërisht të punojmë dhe të bëjmë zgjidhje dhe në mënyrë që periudha e dytë të ketë rrjedhë të mbajtjes në sistemin arsimor… në të kundërtën opsioni i grevave, mbetet i hapur”, tha ai.

Kujtojmë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka bërë të ditur se do të mbesin në funksion edhe skenarët e tjerë, që janë përdorur që nga fillimi i pandemisë./Demokracia.com

Të ngjashme