Lajme
“Mësimdhënësit janë teshë”, Rrahman Jasharaj tregon në detaje si po organizohet greva
Demokracia
14:09 | 11 Maj 2022

Share:

Ora e parë e mësimit nuk do të mbahet në asnjë shkollë të Kosovës. Edhe çerdhet dhe universitetet do të protestojnë një orë. Krejt kjo në shenjë proteste për mospërmbushjen e kërkesave të tyre rreth Ligjit të Pagave.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se mësimdhënësit kosovarë janë lodhur duke pritur që të plotësohen kërkesat e tyre dhe në këto kushte greva është e pashmangshme, shkruan Demorkacia.com.

“Mësimdhënësit janë teshë. Prit, jo ka dialog, jo s’ka dialog. Jemi marrë vesh me BSPK-në me hi në grevë. Aty jemi marrë vesh për veprimet sindikale edhe në dialog, edhe krejt mi ba bashkë. Sa i takon arsimit, ora e para te filloret dhe të mesmet, ora e parë e ndërrimit të paradites dhe ora e parë e ndërrimit të pasdites, çerdhet në Prishtinë, punojnë nga ora 06:30. Ata do të jenë në grevë nga 06:30 deri në 07:30. Kurse, universitetet janë marrë vesh për shkak të fluksit të madh të studentëve dhe të palëve, e kanë lënë nga ora 10:00 deri në 11:00”, ka treguar Jasharaj për Demokracia.com.

Ai ka theksuar se kërkesa bazike është që mësimdhënësit t’i marrin nga 100 euro nga Qeveria deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

“Kërkesa bazike është 100 euro, derisa të bëhet ligji. Por, ajo që na shqetëson më shumë është fati i Ligjit për Paga, sepse nuk ka asgjë përveç fjalëve që dalin se është punuar. Ka shkuar te Hekuran Murati, presim që të ketë diskutim publik. Por, të them të vërtetën, askush nga sindikatat nuk e ka parë versionin e ligjit”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut ka thënë se nuk janë takuar as me ministren Arbërie Nagavci dhe me askënd tjetër nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

“Kam marrë telefonatë nga kabineti i saj. Kanë thënë se është jashtë dhe se këtë javë e ka të pamundur takimin. Kanë thënë mu taku me dikë tjetër. Unë kam thënë jo, sepse është çështje e ndjeshme. Greva do të ndodhë, por do të ishte mirë që ajo të angazhohej që të mos vinte deri te protesta, ku do të ketë numër të madh të pjesëmarrësve dhe pas kësaj organet e SBASHK-ut dhe BSPK-ja do të nxjerrin vendime që do të jenë edhe më radikale”, ka paralajmëruar Jasharaj.

Ai për Demokracia.com ka thënë se sindikalistët janë të lodhur nga mungesa e dialogut me Qeverinë.

“Ne po i harxhojmë të gjitha mjetet e lejuara, duke shpresuar që të ndodhë dialogu që s’po ndodhë. Mësimdhënësit do të kërkojnë grevë të përgjithshme, që nga çerdhet e deri në universitet, por jo me orë e ditë të caktuara, mirëpo deri të realizohen kërkesat tashmë të ditura”, u shpreh ai.

Jasharaj ka thënë se pas grevës njëorëshe do të mblidhen të gjitha federatat sindikale në Kosovë dhe do t’i shqyrtojnë hapat e mëtejmë.

“Unë besoj që pas grevës një-orëshe, kryetari Hykolli do ta thërret kryesinë ekzekutive dhe do të mobilizohemi për përgatitje sa më të mëdha për protestë. Pas protestës e vlerësojmë se çka ka ndodhë. Ndoshta do t’i japim edhe ndonjë ditë hapësirë dialogut dhe pastaj do të marrim vendim çka tutje, sepse vendosin të gjitha federatat dhe anëtarësia. Çdo kërkesë që e ka anëtarësia, pas 20 majit do ta realizojmë. Kërkesë për takim i ka dërgu kryetari i BSPK, kryeministrit. Ata kanë pasur takim dhe ka thënë se do të ketë vazhdimësi me ministrat gjegjës dhe kjo nuk ka ndodhur”, ka theksuar Jasharaj.

Greva, përveç në arsim, do të zhvillohet edhe në institucionet e tjera.

Përmes një komunikate, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, ka informuar se të enjten më 12 maj 2022, në orën e parë të punës, nën organizimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbahet në nivel vendi greva paralajmëruese një orëshe e të të gjithë të punësuarve në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për dialogun e duhur midis partnerëve socialë dhe pa dëshirë, po edhe në pamundësi të mos hyhet në grevë, vendosi përfundimisht që Greva Paralajmëruese 1-Orëshe në nivel vendi e të të gjithë të punësuarve, në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, të mbahet të enjten më 12 maj 2022”, ka njoftuar BSPK-së.

Sipas BSPK-së, ata kanë pritur dhe presin që dialogu social midis partnerëve socialë të jetë dialog i sinqertë dhe parimor, pa premtime, por me veprime të duhura dhe drejt përmbushjes së kërkesave të arsyeshme të të punësuarve sindikalistë në nivel vendi.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk do dhe nuk dëshiron që mjetin e fundit të pakënaqësisë sindikaliste – grevën ta përdorë kurdo dhe të parën, po kur zëri i arsyes nuk hap rrugën e duhur në të mirë të veprimeve të duhura, që do të krijonin parakushtet dhe kushtet e duhura të qetësisë dhe të mirëqenies shoqërore-ekonomike, atëherë nuk i mbetet tjetër veçse hyrja në grevë”, ka njoftuar BSPK-së.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës vendosi për Grevë Paralajmëruese 1-Orëshe dhe pret e mirëpret veprimet e duhura reflektuese të Partnerit Social – Qeverisë, së cilës i mbetet barra për ndaljen e punës dhe futjen në grevë të atyre që e kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë Republikën e Kosovës e të cilët ditë e natë derdhin djersën anë e kënd vendit tonë.

“Greva Paralajmëruese 1-Orëshe në nivel vendi në orën e parë të punës së ditës së enjte, 12 maj 2002, e të të gjithë të punësuarve në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës ka këshillat e saj organizues, të cilat do të përkujdesen që të mos prishet dhënia e shërbimeve qenësore për qytetarët, por nëse nuk veprohet dhe ofrohet dialogu i duhur social nga Partneri Social – Qeveria, atëherë më 20 maj 2022 do të mbahet protesta gjithëpërfshirëse, e cila i paraprin grevës së plotë në nivel vendi”, ka njoftuar BSPK./ Demokracia.com/

Të ngjashme